Kushtetuesja gjykon rastin Cakaj

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta pritet të përballen në një seancë gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me kompetencat për dekretimin e ministrave. Përmes një kërkese, Kryeministri ka kërkuar interpretimin e nenit 98, pika 1 të Kushtetutës për të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të ministrave. Seanca do të mbahet më datë 25 Mars 2021 dhe trupës së Gjykatës Kushtetuese do t’i duhet të shprehet se si do të veprohet më pas për çështjen e emërimit të ministrave.

Padia e Ramës u depozitua pas përplasjes me Presidencën për mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm duke detyruar Ramën që të mbajë “de jure” këtë post. Sipas nenit 98 të Kushtetutës, ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi. Pika 1 e nenit 98 të Kushtetutës parashikon se ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës brenda 7 ditëve me propozim të Kryeministrit dhe më pas dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.

Në këtë pjesë, Kushtetuta nuk përcakton se çfarë ndodh nëse presidenti nuk shprehet mbi propozimin e Kryeministrit. Për t’i zënë rrugën kësaj, maxhoranca socialiste hartoi disa ndryshime ligjore për kompetencat e Presidentit Meta, duke i vendosur atij kufizime gjatë ushtrimit të detyrës.

Duke u nisur nga precedenti i mos dekretimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm, socialistët kanë parashikuar që Presidenti duhet të shprehet brenda 7 ditëve në lidhje me dekretimin apo mos dekretimin e një ministri. Sipas draftit ende pezull nëse kjo nuk ndodh, atëherë ministri emërohet nga Kuvendi.

Klan News