Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar mbrëmjen e sotme një tjetër rast të qytetarëve që duhet të bëjnë hemodializë, por po hasin në vështirësi për shkak të ndalimit të qarkullimit.

Një qytetar nga Tirana është ankuar se duhet të çojë të atin në spital për të bërë hemodializën, por po has pengesa nga policia për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19.

Disa ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi në emisionin “Opinion” se do të sigurohet transport për pacientët e hemodializës.

Por ndryshe thotë qytetari, i cili është ankuar pranë emisionit “Stop”. Ai thotë se nuk ka mundur që ta çojë babain për hemodializë sepse e gjobisin policët. Në bisedën me gazetaren, qytetari në fjalë shprehet se policia nuk pranon vetëm vërtetimin nga spitali, por duhet edhe autorizimi nga Policia Rrugore.

Gazetarja: Keni bërë një kërkesë për babain tuaj i cili vuan nga dializa?

Qytetari: Po, po, po. Do të doja ta trajtonit, për arsye se më duhej autorizimi me lëviz, me e çu plakun në shtëpi. Merrte policia dhe thonte, do të fusim në burg m’than.

Gazetarja: Ti je nga Tirana?

Qytetari: Në Tiranë rri.

Gazetarja: Kur Ministria ka hequr transportin, e ka përllogaritur transportin me urban apo jo?

Qytetari: Po! Duhet ta çojmë me makinë.

Gazetarja: I është vonuar ndonjë seancë babit?

Qytetari: Të them të drejtën 3 seanca e kam çu pa autorizim fare.

Gazetarja: Çfarë dokumentacioni të duhet për të lëvizur lirisht?

Qytetari: Të duhet një vërtetim nga spitali, që njoftohet me hemodializë. Atë vërtetim policia nuk ta pranon!

Gazetarja: Pse nuk e ka pranuar policia këtë dokument?

Qytetari: Për arsye, që kërkonin autorizim nga Polica e Shtetit.

Gazetarja: Po një person që nuk ka makinë personale siç ke ti?

Qytetari: Do ngelen. O në taksi, o në këmbë.

Gazetarja: Në këmbë pacienti i hemodializës?

Qytetari: Po ç’e….nuk kanë ca bëjnë, se nuk është një sistem aty desha me dal unë. Të gjithë marrin nga 30 mijë lekë në muaj, 30 mijë lekë të vjetra. Mund të bëhet një sistem, që këtu nuk e kanë horizontin, e duhen që ta bëjnë. Dikush, një punonjës edhe të thojn, ok në rregull, nuk do ta jap 33 mijë lekëshin ty, po do marr një furgon 10 vendsh, do ta paguaj me ktë 3 mijë lekshin tat e do t’marrim tek dera e shtëpisë, sic e ka krejt bota.Sic e ka Irlanda, Britania… Kët’ horizont, kët’ gjë nuk e kanë këto! Plus, këto ( pacientët e hemodializës) kanë nevojë gjilpërat, që duhet t’i marrin vetëm tek QSUT-ja. Gjilpëra për aneminë, eritopetina quhet. Këtu duhet të shkosh të marrësh rekomandim çdo 6 muaj.

Gazetarja: Ti aktualisht e ke marrë këtë?

Qytetari: Aktualisht, akoma s’e kam marrë, por kam rezerva me thën’ të drejtën.E kam të nevojshme me ia marr tani. Masat janë të pranueshme. Duhet të ruhen njerëzit!

Gazetarja: Duhet të ishte menduar pak për personat që vuajnë nga hemodializa.

Qytetari: Duhet prioriteti. Fiks, me i dhanë prioritet, dhe mos shkojmë duke u kërcënu nga policët në rrugë.

Transporti i pacientëve të hemodializës ka qenë problem edhe më parë, por sot ka arritur kulmin, sepse nëse nuk ke një makinë personale, pacientët duhet ta bëjnë këtë rrugë në këmbë. Emisioni “Stop” ka publikuar edhe pamjet e një qytetari që duhet të bëjë hemodializë, dhe që shkon në spital me karrocë me rrota, i shoqëruar nga familjarët. /tvklan.al