Tre të rinj janë arrestuar nga efektivët e kryqytetit, pasi tentuan të futeshin në stadiumin “Selman Stërmasi”, me objektivin për të dëmtuar fushën e lojës.

Ngjarja e pazakontë ndodhi rreth orës 04:31, të së shtunës. Të paktën 10 persona u panë teksa po tentonin të kalonin rrethimin e stadiumit, ndërsa me vete mbanin vegla pune.

Por kur dalluan patrullën e policisë, tifozët kanë tentuar të shpërndahen dhe shumica prej tyre ia ka dalë të largohet. Megjithatë, 3 prej tyre janë ndaluar nga blutë e kryeqytetit dhe janë shoqëruar pranë ambienteve të Komisariatit të Policisë Nr 2.

Ata janë A. B., 23 vjeç, M. S., 20 vjeç dhe M. F., 20 vjeç,

të tre banues më Tiranë. Policia sekuestroi edhe veglat e punës; 1 lopatë, 1 kazmë dhe 2 bela.

lopata

Sipas policisë, qëllimi i tyre ka qënë dëmtimi i fushës së futbollit të Stadiumit “Selman Stërmasi”, me qëllim mos zhvillimin e aktivitetit sportiv të planifikuar për datën 5 Shkurt, ku do të luajë ekipi i Partizanit.

Pak ditë më parë u arrit marrëveshja që Partizani të luante ndeshjet në shtëpi në stadiumin “Selman Stërmasi”, por kjo nuk u prit aspak mirë nga tifozët e ekipit të Tiranës, të cilët bllokuan fushën stërvitore të ekipit duke patur edhe përplasje fizike. /tvklan.al