Pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan ka qenë një nënë e re e katër fëmijëve e cila ka treguar problematikat që ka pasur përreth 15 vite me bashkëshortin e saj të dhunshëm. Ajo ka rrëfyer se është ndarë dhe është ribashkuar disa herë me shpresën se do ndryshojë, por përsëriten të njëjtat gjëra gjithmonë.

31-vjeçarja ka treguar se ajo është divorcuar para 3 vitesh, por ishte rikthyer sërish për ta tentuar edhe një herë të jetonin bashkë. Vetëm para dy javësh, ajo është dhunuar sërish shumë keq nga bashkëshorti dhe ka vendosur të largohet përfundimisht nga ajo shtëpi, për mos t’u kthyer më kurrë. Madje ajo ka treguar edhe momentin kur e ka dhunuar dhe çfarë i ka bërë.

31-vjeçarja: Morëm ato pak lekë që kam ndihmë ekonomike, blemë ushqime për fëmijët dhe kemi ikur lart. Sa u futëm tek shtëpia, filloi e ëma dhe bëmë një debat të vogël, po diskutonim me fjalë bashkë me vjehrrën, ndërhyn burri dhe më thotë pse i flet ashtu nënës sime dhe më godet. Mora fëmijët të tre dhe ika, vajta në polici, ai më vjen nga mbrapa për të më ndaluar, por unë ika. Bëra denoncimin në polici, vjen e ai të bëjë deklaratën dhe mohon se ka ushtruar dhunë. Policia më thoshte nuk ke ndonjë shenjë të madhe sepse nuk ke ndonjë këmbë apo dorë të thyer, më tha s’ke dëmtime të rënda, vetëm disa të nxirra në trup.

Mirela Milori: Si të goditi?

31-vjeçarja: Me shqelma dhe me grushta. Ai kishte një gjë shumë të keqe sepse gjithmonë gjuante me grushta. Dhuna pothuajse ka qenë përditë. Ka qenë një dhunë shumë e rëndë sepse mbante dhe gjëra të ftohta thika, hekura poshtë jastëkut. Nuk flisja asnjë fjalë sepse kisha shumë frikë dhe më kërcënonte. Shpesh herë më vinte thikën në fyt.

Mirela Milori: Të ka goditur ndonjëherë me hekur?

31-vjeçarja: Kam një të prerë me thikë tek dora, kam një të djegur tek krahu sepse më ka shtyrë në zjarr.

Mirela Milori: Ke shkuar në polici, e ke denoncuar për këto?

31-vjeçarja: Jo sepse kisha frikë, më rrinte roje 24 orë, më rrinte mbrapa ku hyja, ku dilja, ku shkelja. /tvklan.al