Mediat britanike: Kërkohej për vrasje në tentativë, tani shqiptari është sipërmarrës në Angli

Mediat britanike: Kërkohej për vrasje në tentativë, tani shqiptari është sipërmarrës në Angli

17:56 12/01/2020

Tetë vite më parë, shqiptari Riza Vatoci 49 vjeç u dëbua nga Britania e Madhe dhe u deportua në Shqipëri, për t’u përballur me një proces gjyqësor ndaj tij.

Historia daton në periudhën e errët të Shqipërisë, kur në vitin 1996 Vatoci u arrestua në vendin tonë për një vrasje të mbetur në tentativë. Pas 5 muajsh, ai shpëtoi në rrethana të paqarta dhe u arratis, ndërsa në vitin 1998 u dënua në mungesë nga një gjykatë shqiptare me 15 vite burgim.

Në vitin 1999 emigroi në Britani të Madhe me dokumente false, duke pretenduar se ishte një refugjat nga Kosova dhe përfitoi azil. Në vitin 2006, Riza Vatoci mori nënshtetësinë britanike. Më vonë, kur Interpol Tirana lëshoi urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj tij, Vatoci u arrestua nga autoritetet britanike për llogari të policisë shqiptare.

Në vitin 2012 ai u deportua në Shqipëri, por pas dy muajsh u la i lirë. Britanikja “Daily Mail” ka zbuluar se 49-vjeçari është rikthyer sërish në Britani të Madhe, madje drejton edhe një biznes. Sipas kësaj media, ai është pronar i një lavazhi në zonën e “West Sussex”. Kompania e quajtur “Sussex Valeting” është regjistruar në emër të bashkëshortes së tij, Gjyle Vata, shkruan “Daily Mail”.

Autoritetet britanike janë vënë në dijeni të këtij fakti dhe kanë nisur procedurat për heqjen e shtetësisë angleze të Riza Vatocit, me argumentimin se kur i ka përfituar, kishte gënjyer me pretendimin që ishte refugjat nga Kosova.

Për këtë ngjarje ka reaguar vetë 49-vjeçari, i cili i tha reporterit të “Daily Mail”: "Kam vuajtur dënimin dhe jam rikthyer këtu".

Ndërsa një zëdhënës i Punëve të Brendshme të Britanisë së Madhe, tha për tabloidin se “do të sigurohen që një person të mos vazhdojë të mbajë nënshtetësinë britanike nëse zbulohet që ka mashtruar”. /tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi