Këtë 1 Shtator në të gjithë vendin ka nisur procesi mësimor plotësues në arsimin parauniversitar.

SHKODËR | Në të gjitha shkollat e Bashkisë Shkodër janë hapur dyer e arsimit parauniversitare. Me maska dhe me matjen e temperaturës ka qenë pamja që është ofruar në dyert e shkollave në nisje të këtij viti shkollor.

Drejtoresha e DAR, Sindis Sulja, në një intervistë për mediat është shprehur se ka nisur procesi plotësues në shkollat e Shkodrës ndërkohë që ky vit vjen me risi me mësimin plotësues, regjistrimin në e-Albania për klasat e para, por edhe me shpërndarjen e librave falas.

Për mësuesit dita e parë e mësimit plotësues ka qenë surprizues dhe janë të bindur se këto 3 javë do të shërbejnë për marrjen e dijeve dhe nisjen me sukses të vitit të ri shkollor.

Viti i ri shkollor nis me datën 27 Shtator pas shtyrjes nga Ministria e Arsimit, ndërkohë që këto javë do të shërbejnë për plotësimin e mangësive nga viti i kaluar për shkak të pandemisë.

LEZHË | Hapja e shkollave për mësimin plotësues, ka bërë që këtë 1 Shtator fëmijët t’u drejtohen bankave. Ata e cilësojnë si të rëndësishëm këtë proces, që sipas tyre i ndihmon në përmirësimin e atyre lëndëve ku kanë patur mangësi.

Sipas informacioneve nga Zyra Vendore Arsimore, mësimi plotësues ka nisur në të gjitha shkollat e qarkut të Lezhës, të përshtatura sipas protokolleve anti-Covid.

KORÇË | Edhe në gjithë institucionet e arsimit parauniversitar në juglindje të vendit ka filluar normalisht procesi mësimor plotësuese. Interesi i nxënësve, por edhe i prindërve ka qenë i lartë, për shkak të muajve të vështirë të pandemisë, sidomos mësimit online. Si prindërit dhe nxënësit kanë konstatuar boshllëqe të mëdha, sidomos në lëndët kryesore dhe këto 3 javë janë një mundësi e mirë për plotësimin e këtyre boshllëqeve.

Autoritetet rajonale të arsimit thonë që pritshmëritë për interesin e nxënësve kanë qenë shumë të larta dhe në fakt ashtu ndodhi. Në disa prej shkollave 9-vjeçare, procesi mësimor do të zhvillohet me 2 turne sepse interesi i nxënësve është i lartë dhe ndërkohë duhen respektuar protokollet e sigurisë.

ELBASAN | Ka nisur edhe në shkollat e qarkut të Elbasanit mësimi plotësues. Sipas informacioneve të marra ky proces ka nisur pothuaj në të gjitha shkollat me përjashtim të rasteve të veçanta.

Pavarësisht masave anti-Covid me maska e dezinfektantë, nxënësit ndjehen të gëzuar që i janë kthyer bankave të shkollës.

Disa prej tyre e konsiderojnë të domosdoshëm mësimin plotësues për të rikuperuar njohuritë. Por të tjerë shprehen se data 27 është pak larg dhe shkolla duhej të nisë më shpejt. Edhe prindërit ndajnë mendime të ndryshme lidhur me mësimin plotësues dhe datën e nisjes së shkollës

Kushi u drejtohet me një mesazh nxënësve, mësuesve dhe prindërve

Me rastin e fillimit të mësimit plotësues Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi u është drejtuar nxënësve, mësuesve dhe prindërve me anë të një mesazhi të publikuar në rrjete sociale.

Duke iu drejtuar nxënësve ajo thekson se të gjitha shkollat janë gati për mësimin plotësues, i cili u vlerësua nga ekspertët, mësuesit dhe prindërit si një nevojë, sidomos për nxënësit në zonat e riskut në kohën e kulmit të pandemisë, ku mësimi online zgjati më shumë se në zonat e tjera të vendit.

“Për këtë periudhë shkollat tuaja kanë përgatitur një program gjithëpërfshirës, që përveç përsëritjes apo përforcimit të njohurive, përmban edhe aktivitete argëtuese dhe sportive. Prandaj shfrytëzojeni këtë mundësi sepse kjo do t’ju ndihmojë që të jeni sa më të përgatitur dhe ta nisni vitin e ri shkollor me njohuri të rikuperuara, e mbi të gjitha, me dëshirë e pasion për të mësuar akoma më shumë,”- shton Ministrja Kushi.

Duke iu drejtuar prindërve dhe mësuesve Znj. Kushi shprehet se puna, bashkëpunimi dhe solidariteti që kanë treguar, ka ndihmuar shumë në punën e përbashkët përgjatë vitit të vështirë që kaloi.

“Do të kërkoja nga ju që të tregonit të njëjtin përkushtim edhe në këtë periudhë të mësimit plotësues, që së bashku të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë”– shkruan ajo.

Në përfundim të mesazhit Ministrja Kushi u ka rikujtuar të gjithëve që të mos harrojnë kujdesin dhe vëmendjen ndaj rregullave anti-COVID, për të ruajtur shëndetin dhe të afërmit.

Udhëzimi për fillimin e shkollës

Për të dytin vit radhazi shkollat do të hapen nën rregulla të forta anti-Covid. E teksa procesi mësimor pritet të nisë më 27 Shtator në të gjithë ciklin 9-vjecar dhe gjimnazet, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë gati udhëzimin për vitin e ri shkollor.

Pavarësisht vaksinimit anti-Covid, mësuesit duhet të mbajnë maskë dhe distancë dy metra nga nxënësit gjatë orës së mësimit. Po ashtu përpara fillimit të shkollës, të gjithë stafet pedagogjike duhet të dorëzojnë certifikatën e vaksinimit pranë drejtorive të shkollave. Në rast të kundërt duhet të vërtetojnë përmes testimit anti-Covid statusin e tyre të negativizimit çdo javë.

Në udhëzim rekomandohet që nxënësit e ciklit të ulët të mbajnë maskë, ndërsa për ata të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm mbajtja e saj do të jetë me detyrim. Në klasë nxënësit duhet të qëndrojnë të ulur nga një në bankë dhe larg njëri-tjetrit në një distancë prej 1.5 metra.

Prindërit duhet të firmosin një deklaratë për stusin e vaksinimit apo nëse kanë persona të infektuar me Covid në familje. Ushqimi në shkollë nuk do të lejohet. Duhet të ajrosen klasat dhe dezinfektantët duhet të jenë gjithë kohës në hyrje të shkollës./tvklan.al