“Gazetarët kanë qenë ndër heronjtë e vërtetë të këtyre ditëve dhe për këtë meritojnë një falenderim dhe mirënjohje të madhe”!

Kështu shprehet Presidenti i Republikës, Ilir Meta, për punën e kryer gjatë këtyre ditëve të vështira nga mediat.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit ka falenderuar të gjithë gazetarët e terrenit, operatorët dhe stafet teknike mbështetëse për raportimet e sakta dhe reale natë-ditë edhe pse në kushte aspak të lehta pas pasojave që la tërmeti i 26 Nëntorit.

“Me punën e tyre të palodhur, gazetarët dhe mediat kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmë të banorëve të prekur nga pasojat e kësaj fatkeqësie tepër të rëndë. Duke i inkurajuar mediat të vazhdojnë të tregojnë seriozitet dhe përmbajtje maksimale në raportimin e lajmeve, me qëllim shmangien e informacioneve të paverifikuara, besoj se në kuadrin e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, çdo pakujdesi si pasojë e nxitimit për dhënien e lajmit të fundit, të mos përdoret si pretekst për të sulmuar apo mbyllur media kritike”, shkruan Presidenti. /tvklan.al