Presidenti Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale pasi Hashim Thaçi u dorëhoq si President pas aktakuzave të ngritura nga Dhomat e Specializuara.

Meta vlerëson aktin e dorëheqjes së Thaçit për t’u ballafaquar me akuzat dhe thotë se beson në pafajësinë e tij dhe të luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike. Vlerësoj aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën. Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar”, thotë Meta.

Më 24 Qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se më 24 Prill i kishte dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”. Në Korrik, Thaçi u mor në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku foli për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale./tvklan.al