“Nuk folëm për Mini-Shengenin, por për drejtësinë dhe tërmetin”

Presidenti Ilir Meta thotë se takimi mes tij dhe zëvendëspresidentit të Fondacionit “Shoqëria e hapur” është bërë me ftesë të Aleksandër Sorosit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se që prej muajit Korrik i është kërkuar një takim me këtë fondacion për të sqaruar pozicionin për Reformën në Drejtësi, pas akuzave për kapje të drejtësisë nga Kryeministri Rama.

“Tre temat që unë jam përqëndruar kanë qenë kapja e drejtësisë nga Kryeministri, përkeqësimi i lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes, dhe gjallërimi i shoqërisë civile në vend kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe dhunimit të vlerave të demokracisë.E vetmja temë që nuk u përmend nga Zëdhënësi im ishte ajo e menaxhimit të pasojave të tërmetit”.

Mohon të jetë diskutuar për çështjen e Mini-Shengenit Ballkanik.

“Tema e të ashtuquajturit “Mini-Shengen” nuk ka ekzistuar në takim. Unë e kam bërë të qartë publikisht e në mënyrë të përsëritur se çdo iniciativë rajonale është e dobishme kur është gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese, kur udhëhiqet nga partneriteti dhe jo paternalizmi, kur sjell kohezion dhe jo konfuzion, e aq më tepër përçarje.Ndërsa për qëndrimin tim ndaj shtetit të Kosovës dhe Pavarësisë së saj të gjithë e dinë qëndrimin tim. Aq më tepër për Taksën e Kalimashit”.

Meta shprehet se asnjë takim nuk e ndryshon axhendën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe përkushtimin e tij për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve shqiptarë përmes garantimit të zbatimit të referendumit si e drejtë kushtetuese.

Tv Klan