Michelle Obama rrëfen luftën me depresionin gjatë pandemisë



Michelle Obama rrëfen luftën me depresionin gjatë pandemisë

15:27 11/03/2021

Ish-Zonja e Parë e SHBA-ve për “People”

Ish-Zonja e Parë e SHBA-ve, Michelle Obama, në një intervistë për revistën People ka folur  në lidhje me luftën e saj me depresionin e shkallës së ulët gjatë pandemisë Covid-19 dhe sfidat e vitit 2020, duke inkurajuar të tjerët të flasin për shëndetin e tyre mendor.

“Depresioni është i kuptueshëm në këto rrethana, gjatë këtyre kohërave. Në një farë mënyre, po ta mendosh, duket jo reale të besosh se mund të ringrihesh pas gjithë këtyre tronditjeve dhe traumave, pa përjetuar dhe pa ndjerë asgjë negative. Kjo është një nga arsyet pse duhet të flasim për shëndetin mendor, sepse të gjithë kalojmë trauma, ankth, vështirësi në mënyra të ndryshme”.

Pandemia Covid-19 dhe pasojat ekonomike, sipas studimeve, kanë sjellë krizë në shëndetin mendor të njerëzve. Një studim i Qendrave të Kontrollit të Sëmundjeve dhe Parandalimit të Sëmundjeve në gusht tregoi se gati 41% e të anketuarve në Amerikë, raportuan probleme të shëndetit mendor që burojnë nga pandemia. Rreth 1 nga 3 amerikanë thanë se kishin përjetuar simptoma ankthi ose depresioni.Verën e kaluar, Obama zbuloi në podcastin e saj se po vuante nga depresioni i shkallës së ulët, gjatë kulmit të pandemisë, problemeve racore në SHBA dhe problemeve politike.

Për revistën People, zonja Obama tha se duhej ta pranonte atë që po kalonte, edhe pse shpesh mundohemi të fshehim atë pjesë të vetes. Obama gjithashtu tha se ajo është vaksinuar kundër Covid-19.

“Unë i inkurajoj të gjithë të bëjnë një vaksinë sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ish-Zonja e Parë gjithashtu u shpreh se pandemia e ka lejuar atë dhe ish-Presidentin Barack Obama të krijojnë një marrëdhënie më të fortë me dy vajzat e tyre ndërsa ishin në karantinë.

Klan News







Të ngjashme