Ministria e Shëndetësisë ka reaguar për ngjarjen në shkollën e mesme në Bulqizë, duke sqaruar se janë 27 nxënës që janë asfiksuar nga tymi i kaldajës.

Në një njoftim për mediat, Ministria sqaron se gjendja shëndetësore e nxënësve është e qëndrueshme dhe nuk paraqet rrezik për jetën.

Situata po ndiqet nga afër nga ministrja e Shëndetësisë Orgerta Manastirliu, e cila ka ngritur Task-Forcë me mjekë të specializuar për këtë ngjarje.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po ndjek nga afër situatën në Bulqizë, ku rreth 30 nxënës të shkollës së mesme të Shupenzës kanë shfaqur probleme shëndetësore si pasojë e vendosjes në punë të kaldajës në shkollën e mesme të Shupenzës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat për shërbimin mjekësor në spitalet e Bulqizës dhe të Peshkopisë të 27 nxënësve, 15 prej të cilëve po marrin trajtimin e duhur mjekësor në spitalin e Bulqizës dhe 12 po transportohen aktualisht në spitalin e Peshkopisë. Qendra Shëndetësore Shupenzë ka dhënë ndihmën e parë për të gjithë nxënësit dhe po vazhdon të japë shërbim në vijim të paraqitjes së rasteve të reja.

Gjendja e të gjithë nxënësve që aktualisht po trajtohen në spitale është nën kontroll dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor.

Ministrja e Shëndetësisë  dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu po ndjek nga afër situatën në komunikim të vazhdueshëm me strukturat shëndetësore në terren dhe ka ngritur Task-Forcën e Emergjencës me mjek të specializuar për këtë ngjarje.

Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion Njësinë e Helikopterëve në rast se do të jetë e nevojshme transporti për mjekim më të specializuar në Tiranë.

/tvklan.al