Celibashi, në krye të strukturës

Struktura e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të ketë në krye të saj Ilirjan Celibashin. Ish–kryetari i KQZ–së në vitin 2001-2006 do të jetë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Ai u votua me 106 vota, përballë Ardian Myslimajt që mori 5 vota.

Në strukturën e Nënkomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve do të jetë Lealba Pelinku. Drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion në Partinë Demokratike mori 105 vota përballë Agron Haxhimihalit që u votua nga 7 deputetë.

Në Komisionin Rregullator të Zgjedhjeve do të jenë Ilirjana Nano, që vjen nga sistemi i drejtësisë, gjyqtari Dritan Çaka, prokurori Arens Çela, ish–përfaqësuesi ligjor i LSI në KQZ, Muharrem Çakaj dhe Helga Vukaj, që drejtoi Ministrinë e Financave gjatë periudhës zgjedhore të vitit 2017, në kohën kur ky dikastër iu la Partisë Demokratike. Ata u votuan me 107 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenim.

Me 105 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim u miratua lista e përbashkët e anëtarëve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Ky komision përbëhet nga Ilirjan Rusmali, ish-zv. Kryeministër dhe Ministër i Drejtësisë në qeverinë Berisha 1, Elvin Lako Drejtor i Përgjithshëm i Markave, Patentave dhe Pronësisë Industriale në qeverinë Rama, Koli Bele, ish–Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Energjisë dhe atë të Arsimit në qeverinë Rama, Elvis Çefa ish–nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në qeverine Berisha dhe avokati Ledio Braho.

Tv Klan