Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime”, në Tv Klan ishte deputetja e Partisë Socialiste Mirela Kumbaro.

Në lidhje me izolimin, ajo u shpreh se gjatë kësaj periudhe kemi konsumuar shumë më tepër se zakonisht ushqim kulturor. Por shqetësimi i saj është se po e përdorim kulturën si anestezi dhe nuk duhet të jetë e tillë.

Në lidhje me komunikimin online, Kumbaro u shpreh se nuk ka qenë një zgjedhje, por një detyrim në kushtet kur çdo komunikim fizik vazhdon të jetë i pamundur.

Mirela Milori: E keni quajtur kulturën anestezi të shpirtit?

Mirela Kumbaro: Është në fakt një emërtim që e kam vënë jo me shumë dëshirë, e kam quajtur me shumë pozitivitet nevojë shpirtërore, ushqim shpirtëror. Të tillë në fakt e testuam gjatë gjithë kësaj periudhe, ku kemi bërë vetëm dy gjëra praktikisht të izoluar në shtëpi, kemi konsumuar ushqimin biologjik për të cilin kemi nevojë, ka nevojë trupi dhe kemi konsumuar shumë më tepër se zakonisht besoj, në mënyrë virtuale ushqim kulturor. Që tregoi se nuk ishte çështje qejfi, çështje luksi, çështje zgjedhje, ishte nevojë. Por pasi kanë kaluar 2 muaj dhe kemi hyrë në muajin e tretë të karantinës, ajo që mua më tremb është se po e përdorim kulturën vetëm si anestezi, edhe këtu vjen shqetësimi im, se nuk duhet të jetë e tillë.

Mirela Milori: Në fakt kemi parë kulturë online, teatër online, recitim online, poezi online. Cili është qëndrimi jot për këtë lloj të komunikuari tani?

Mirela Kumbaro: Kjo nuk ka qenë zgjedhje, i gjithë komunikimi: teatri online, koncertet online, regjistrimet online, leximet online, filmat online, nuk ka qenë zgjedhje, ka qenë e detyruar nga kushtet ku çdo komunikim fizik ka qenë dhe vazhdon të jetë thuajse i pamundur. Kështu që në këto kushte qënia njerëzore tregon që ka aftësinë t’i përshtatet çfarëdolloj kodi komunikimi, mjafton që të komunikojë. Jetojmë në shekullin e 21, ku jemi më shumë homo-komunikues, që ka zvendësuar shumë më tepër homosapiens. Edhe në këtë kuptim kemi dhe fatin që zhvillimi i teknologjisë na e ka bërë të mundur këtë komunikim./tvklan.al