Vetëm 20 km larg Elbasanit dhe fare pranë autostradës që lidh këtë qytet me Tiranën ndodhet Funari që tashmë është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik. Vizitohet jo vetëm nga elbasanasit, por edhe nga kryeqytetasit dhe turistë të huaj. Funari është një kombinim magjepsës i 4 liqeneve të rrethuar nga pyje e gjelbërim.

Prej kohësh në Funar funksionon pika e informacionit dhe mikpritjes së turistëve. Ka pista parashutizmi, mund të argëtohesh me kajak në liqene, praktikohet hipizmi, ciklizmi malor apo ecja nëpër shtigjet malore. Deri vonë pengesë ishte infrastruktura rrugore. Por tashmë edhe kjo vështirësi është zgjidhur. Vizitorët shprehen se të vish këtu është mjaft bukur. Ajri i pastër, natyra e bukur, pyjet e pishat i cilësojnë mrekulli.

Ky i moshuar thotë se ka ndërtuar një bujtinë diku pranë dhe kryesisht ka klientë të huaj. Një i ri ka gjetur një mundësi tjetër punësimi. Ai merret me hipizëm dhe kalërim. Një tjetër banor i zonës shprehet se, megjithëse janë larguar shumë jashtë vendit, me investimet e kryera, ata pritet të kthehen.

Kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja, shprehet se në njësitë administrative po organizohen festat e zonave për të ruajtur traditën. Festës në Funar iu bashkuan edhe Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit nga Delegacioni Europian në Shqipëri, zv.Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello dhe zyrtarë të pushtetit vendor.

Klan News