Në Korenë e Jugut, zyrtarët e shëndetësisë po përpiqen që të zgjidhin një mister: pse 163 persona që u shëruan nga koronavirusi kanë rezultuar sërish pozitivë me sëmundjen.

E njëjta gjë është regjistruar edhe në Kinë, ku disa pacientë rezultuan me Covid-19 edhe pasi ishin shëruar. Sipas CNN, ky fakt ngre një pyetje të rëndësishme: A mund të riinfektohemi nga koronavirusi?

Në Korenë e Jugut, rasti i testeve që ridalin pozitive është i ulët. Nga 7 829 njerëz që janë shëruar vetëm 2.1 përqind e tyre janë pozitivë ka deklaruar Qendra koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Nuk është e qartë ende se sa është numri i njerëzve që kanë dalë pozitivë pasi janë ritestuar.

Megjithatë ky është një shqetësim për të gjithë botën. Zv/drejtori i Qendrës koreane, Kwon Joon-ëook është shprehur se deri më tani nuk ka asnjë të dhënë që pacientët që janë ritestuar të ngjisin sëmundjen.

Këoon u shpreh i shqetësuar për faktin që shkencëtarët nuk dinë shumë gjëra rreth virusit, duke përfshirë edhe çështjen e imunitetit.

“Covid-19 është patogjeni më i rrezikshëm që mund të kemi përballur në dekadat e fundit. Është shumë i vështirë dhe një armik sfidues”, tha ai.

Paraprakisht mendohet se njerëzit ritestohen pozitivë pasi analiza merr mbetjet e virusit. Në Korenë e Jugut janë testuar tre anëtarë të një familjeje. Në çdo rast mjekët u përpoqën që të inkubonin virusin, por nuk mundën pasi nuk kishte asnjë prezencë të gjallë tij në trup.

Sipas, Kwon testet marrin pjesë të mbetura të RNA-së së virusit pasi njerëzit janë shëruar dhe në këtë mënyrë duket sikur janë riinfektuar.

Disa teori të tjera janë se pacientët mund të ridalin pozitivë në teste edhe pas shërimit pasi mund të ketë një gabim në analizë, ose virusi mund të jetë riaktivizuar./tvklan.al