Dollenberg: Të sigurojmë me shumë vaksina për shqiptarët

Një ekip i mjekëve shqiptarë që punojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Europian do të kenë së shpejti një takim me Presidenten e Bashkimit Europian për çështjen e vaksinave për trojet shqiptare.

Presidentja e Federatës së mjekëve shqiptar në Europë, Aurora Dollenberg, tha në një intervistë për televizionin Klan se më herët i janë drejtuar me një letër Bashkimit Europian për këtë çështje.

“Ndaj letrës së dërguar ndaj Bashkimit Europian kemi marrë një përgjigje nga presidentja zonja Ursula von der Leyen e cila na mirëpret thirrjen që po bëjmë për të ndihmuar vendet shqipfolëse dhe na ka ftuar në një takim për ta detajuar mënyrën se si mund të sigurojmë vaksina për vendet shqiptare përtej kontratës Covax”.

Takimi pritet të zhvillohet se shpejti.

“Mendojmë që do e organizojmë sa me shpejt për marrjen sa më shpejt të vaksinave. Ne e dimë që vaksinat për Europën janë Pfizer, Moderna, Astra Zeneca dhe jemi në tratativa për rusen, mundësia për të marrë Astra Zeneca dhe Sputnik janë më të mëdha sepse dy të tjerat janë më të shtrenjta”.

Deri më tani Shqipëri ka të siguruara 1,6 milionë vaksina.

Tv Klan