Mjeku infeksionist Gent Stroni ka qenë i ftuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e Klan News, ku ka folur për situatën e Covid-19 në vend.

Stroni ka shprehur bindjen se shtamat e reja janë tashmë prezente në Shqipëri, por duhet një konfirmim zyrtar nga laboratorët e referencës. Një gjë të tillë e kishte theksuar për Klan News  edhe mjeku Pëllumb Pipero një javë më parë.

Ndërkohë, mjeku Stroni ka thënë se kapacitetet spitalore po ezaurohen dhe shtrëngimi i masave është i nevojshëm pasi njerëzit nuk po ndërgjegjësohen.

“Me plot gojën mund ta them që ka shtama të reja, por deri në kohën kur të evidentohen pasi vërtetohen nga laboratorët e referencës sigurisht, por jam i bindur që të gjithë e ndjejnë tashmë se shtamet e reja janë prezente. Edhe nga mënyra se si sillet virusi në këto momente. Ne i shikojmë rastet, ditën e parë dhe të dytë janë mirë, ditën e tretë fillon të ndryshojë klinika duke u përkeqësuar rëndshëm.

Nuk i kemi pasur këto situata në periudhën e beharit, nga marsi deri në nëntor. Pra mund të jenë këto shtamet e reja që mund të konfirmohen dhe jam i bindur që do thuhet po. Tashmë është një bazë e gjerë piramide ku një person infekton shumë persona të tjerë, të cilët nuk arrihen të monitoreohen, janë jashtë kontrollit dhe rrjedhimisht në këtë situatë  është një rënie e lirë që nuk mundet t’i bësh ballë apo ta frenosh në mënyrë të tjera”, u shpreh ai.

Pyetje: Qarkullon një ide ekstreme për mbyllje të vendit, ndoshta për një periudhë të caktuar. Nuk e di nëse do të qarkullonte ideja e një mbyllje të pjesshme ndoshta vetëm e Tiranës sepse është zemër infektimesh. Si mendoni ju?

“Në aspektin ekonomik do të thoja që nuk duhet bërë. Në këndvështrimin tim si profesionist në këtë fushë, them që po ezaurohen të gjitha kapacitetet mjekësore dhe rrjedhimisht do të duhet që në një farë mënyre të kufizohet ose mblidhet kjo lloj gjendje e lëshuar dhe do të kishte qenë edhe një zgjidhje provizore por e mirë që të kishte një kufizim disi më shumë sesa kaq sepse po shohim që nuk ka rezultat kjo orë policore e orës 20:00. Them që vlen të mendohet edhe kufizimi i orarit të njerëzve.”

Klan News