Mentor Petrela është një neurokirurg i njohur shqiptar, i cili është përzgjedhur nga emisioni “Opinion” në Tv Klan si një nga personazhet e vitit. Petrela njihet gjerë për teknikat e përparuara të operacioneve me pacientin zgjuar.

Në studio pasi u pyet nga moderatori Blendi Fevziu, Doktor Petrela tregoi edhe një nga momentet më të vështirë të punës së tij.

“Nga më të vështirat është komunikimi me familjen kur je përballë një dështimi jo vetëm profesional, por edhe dështim me sfidën e sëmundjes. Ai është momenti më i vështirë”, tha Petrela.

Sipas doktorit nuk ka njeri të pagabueshëm. Nëse një doktor nuk e pranon që ka gabuar Petrela tha se ai është gënjeshtar.

Ndër të tjera, Petrela tregoi edhe si e zgjodhi këtë profesion, i cili mbi të gjitha kërkon impenjim dhe studim gjatë gjithë kohës.

“Ka qenë një dëshirë e fshehtë e babait tim, që mundohej të ma ushqente. Por nuk kanë qenë të gjitha elementet që unë të futesha në mjekësi. Unë kam qenë një nga “delet e zeza” që as nuk kam pretenduar që do të shkoja për studimet e larta. Fillimisht u futa në rusisht, pastaj ka qenë profesor Gjata i cili më transferoi tek mjekësia. Është profesion i vështirë që kërkon impenjim dhe studim gjatë gjithë kohës”, tha Petrela./tvklan.al