I ftuar në programin “Rudina”, në Tv Klan ishte një moderator shumë i dashur në ekranin e Kosovës, por jo vetëm, Alaudin Hamiti.

Alaudin Hamiti ka mbaruar studimet për gazetari dhe prej viti 2002 ka filluar të jetë pjesë e televizionit. Në vitin 2015 nisi emisionin ‘Nd’imi i Natës’ ose ndryshe “NIN”, në Klan Kosova. Ai ka realizuar intervistë me artistët më të mirë si nga Kosova, ashtu dhe nga Shqipëria. Disa nga intervista e tij, Hamiti i realizon dhe jashtë studios, në vende të ndryshme të botës.

Hamiti ka treguar se ai për 10 vite ka jetuar në Finlandë dhe një vizitë e tij gjatë verës në Kosovë, i ka pëlqyer atij së tepërmi dhe pikërisht aty lindi dëshira e tij për t’u kthyer në Kosovë.

Unë kisha jetuar në Finlandë për 10 vite, kisha përfunduar dhe gjimnazin atje, edhe në një moment jete erdha e vizitova Kosovën gjatë verës, më pëlqeu shumë. Ajo atmosfera ishte pas luftës, kishte një entuziazëm të madh, nuk kishte limite, të themi për të dalë, për të hyrë në klub. Sepse jashtë duhet të kishe një moshë të caktuar për të hyrë në klub, por në Kosovë gjithçka ishte e arritshme dhe një atmosferë shumë e mirë. Pasi shijova verën në Kosovë, u ktheva në Finlandë. Kisha aplikuar për disa fakultete atje. Besoni ose jo opsioni i parë ishte për farmacist. Aplikova para verës dhe kur u ktheva nuk isha pranuar në Farmaci, por në një fakultet të biznesit, që aspak s’isha i interesuar. E di çfarë do bëj thashë do bëj një vit pauzë, po mendoj çfarë do bëj, por ndërkohë do kthehem në Kosovë. Edhe u ktheva dhe kështu ndenja kaluan vite dhe vite. Fillova të studioj dhe gazetarinë, që mos rrija kot”./tvklan.al