Moti i acartë përfshin të gjithë vendin



Moti i acartë përfshin të gjithë vendin

15:44 13/02/2021

Reshje dëbore dhe në bregdet

Moti i acartë ka mbërthyer gjithë vendin. Zonat malore po përballen me një situatë të vështirë për shkak të reshjeve të dëborës që kanë nisur prej këtij mëngjesi. Moti i keq ka sjellë problematika në qarkun e Dibrës, ku për shkak të reshjeve të dëborës rreth 50 automjete u bllokuan në rrugën Kuben – Muhurr.

Dëborë ka edhe në qarkun e Korçës ku qarkullimi i mjeteve rekomandohet me zinxhirë në rrugën Korçë Ersekë, në Qafën e Qarrit. Të nevojshëm zinxhirët janë edhe në rrugën e Dardhës dhe rruga Voskop-Voskopojë për mjetet e vogla. Në disa zona të thella malore në Elbasan, Librazhd, Gramsh dhe Prrenjas, trashësia e dëborës ka mbërritur deri në 30 cm.

Vëmendja është përqendruar në Qafëthanë ku lëvizet vetëm me zinxhirë. Stuhia e dëborës ka shkaktuar shembje të disa shtyllave dhe këputje të përcjellësve duke lënë në errësirë disa fshatra. Dëbora si rrallëherë ka përfshirë edhe zonat ulëta deri në bregdet. Këto janë pamjet që vijnë nga Shëngjini dhe Lezha.

Por teksa disa qarqe vuajnë acarin disa të tjera po përballen me pasojat e shirave. Situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës është përkeqësuar gjatë natës. Në raportin e përditshëm, Bashkia e këtij qyteti bën me dije se mëngjesin e kësaj të shtune rezultojnë nën ujë 5370 Ha.

E përmirësuar është situata në qarkun e Durrësit ku prurjet e lumenjve Erzen dhe Ishëm janë ulur  ndjeshëm. Me mot të paqëndrueshëm po përballet edhe Vlora.

Tv Klan







Të ngjashme