Moti i keq ka përfshirë të gjithë Italinë duke sjellë përmbytje të shumta dhe reshje dëbore në disa zona. Zona më e goditur është ajo e Emiglia Romanjas, ku lumi Panaro doli nga shtrati duke shkaktuar shumë përmbytje dhe dëme në rrugë dhe ura. Ndërkaq si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit edhe ura e Venetos u dëmtua.

Në qytezën Potentino në veri të vendit një person humbi jetën pasi shtëpia e tij u përmbyt. Autoritetet kanë vendosur alarmin e kuq në disa zona si Friuli, Venezia dhe në provincën e Bolzanos. Mbi 60 familje janë evakuuar në Modena.

Për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të tokës dhe ortekëve janë pezulluar udhëtimet në provincën e Belluno në Veneto. Ndërkohë që në zonat malore të Italisë veriore problem janë bërë reshjet e mëdha të dëborës, të cilat kanë bllokuar disa akse rrugore.

Si pasojë e motit të keq u anulua edhe ndeshja e futbollit mes Udinezes dhe Atalantas për shkak se stadiumi u përmbyt. Nga moti i keq është përfshirë edhe jugu i vendit. Në Siçili, një stuhi e fortë goditi Messinën duke përmbytur rrugët.

Mbrojtja Civile i ka bërë thirrje njerëzve që të mos dalin nga shtëpitë e tyre deri në një urdhër të dytë pasi moti do të përkeqësohet gjatë orëve në vijim.

Klan Plus