Autoriteti Rrugor Shqiptar, në një njoftim në rrjetet sociale dha mëngjesin e kësaj të premteje një panoramë të gjendjes së akseve kombëtare, si pasojë e motit të keq.

Kështu, ARRSH thotë se gjatë natës ka pasur reshje bore në veri të vendit, si në Dedaj-Razëm, Bajram Curri-Valbonë, por grupet e punës kanë qenë në terren rruga është e hapur dhe qarkullimi vazhdon pa problem.

Në segmentin Fushë Arrëz-Kukës dhe Kalimash-Fushë Dukagjin, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie gurësh në trup të rrugës, është ndërhyrë menjëherë nga kompania e mirëmbajtjes dhe po punohet akoma qarkullimi vazhdon normalisht.

Sa i përket rajonit jugor ARRSH thotë se ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, që si pasojë kanë sjellë rënie gurësh në aksin Berat-Çorovodë dhe Patos-Ballsh. Edhe në këtë rast, autoritetet thonë se është ndërhyrë menjëherë për pastrimin e rrugëve pa krijuar probleme në qarkullim

Në segmentin Qukës-Pishkash ka prurje të aluvioneve vazhdimisht. Po punohet për pastrimin e plotë të rrugës me mjete e punëtorë.

ARRSH i bën apel drejtuesve të mjeteve të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështisë në rrugë, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën./tvklan.al