Shënohen edhe 2 viktima, në total 61

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për numër rekord të shëruarish në Maqedoninë e Veriut, ku sipas Institutit të Shëndetit Publik, numri gjatë ditës së sotme ka shkuar në 126. Sipas statistikës janë 500 pacientë të shëruar në nivel vendi.

Në Spitalin “8 Shtatori” kanë ndërruar jetë dy persona. Numri i viktimave shkon në 61. Gjatë 24 orëve të fundit janë bërë 335 testime, duke e çuar numrin e përgjithshëm të testeve në nivel vendi në 15,120.

Janë konfirmuar 19 raste të reja me Covid-19. Me këtë numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me koronavirus shkon në 1,386. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe do të kërkojë nga qeveria prej nesër të fillojë dënimi i qytetarëve që nuk do të mbajnë maskë mbrojtëse. 

“Gjatë ditëve të kaluara është vërejtur se qytetarët ose nuk mbajnë aspak maska atje ku duhet, ose e mbajnë në mënyrë të papërshtatshme. Për këtë arsye Komisioni për Sëmundje Infektive propozon që sanksionimi të fillojë menjëherë. Unë gjatë ditës së nesërme këtë propozim do ta dorëzoj në seancën e qeverisë dhe shpresoj se më së voni deri të martën do të fillojë dënimi.” 

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe theksoi se këtyre ditëve së bashku me Komisionin për Sëmundje Infektive do të vendosin nëse gjatë fundjavës për festën e 1 Majit qytetarët do të kenë edhe një orë policore tre ditëshe. Në lidhje me atë se në kushte pandemie a flitet për datë të mundshme për zgjedhje, Filipçe theksoi se janë spekulime dhe ajo për të cilën flitet vazhdimisht janë masat për lehtësim gjatë periudhës së verës dhe pas saj.

Tv Klan