Kur Vedat Muriqi udhëton në Turqi, kjo përbën gjithmonë lajm. Sulmuesi nga Kosova u dallua me golat e tij në kampionatin turk dhe në muajt e fundit është përfolur për një rikthim të tij te Fenerbahçe. Vetë lojtari 27 vjeçar i ka idetë e qarta.

Qëndrimi në Stamboll për dy ditë ngjalli interesin e mediave turke, e po ashtu edhe të atyre italiane për të ardhmen e Vedat Muriqit. Sulmuesi i Kosovës ka lënë shenjën e tij në futbollin turk dhe interesimi i klubeve për të vazhdon që të jetë i madh.

Mbi të gjitha skuadra e Fenerbahçes, ku ai ishte pjesë për një sezon dhe realizoi 15 gola. Por 27-vjeçari nuk e mendon largimin nga Lacio. Në metropolin turk ai kishte shkuar vetëm për të pushuar, për të takuar miqtë dhe për të dhënë intervistë.

Mediat në Itali raportojnë përgjigjen që ai dha kur u pyet për rikthimin te Fenerbahçe.  Muriqi e bëri të qartë se me gjigandin turk nuk ka asgjë dhe gjasat janë të mëdha që të rrijë te bardhekaltrit.

Me ardhjen e trajnerit Maurizio Sarri ai ndihet mirë dhe golat nuk kanë munguar në miqësore. Duket se sulmuesi nuk do që të largohet pa treguar gjithë potencialin e tij te bardhekaltrit.

Klan News