Mustafa – Kurtit: Hiq taksën, kthe ministrin dhe kërko falje



Mustafa – Kurtit: Hiq taksën, kthe ministrin dhe kërko falje

10:51 20/03/2020

Përgjigjet Vetëvendosje: Nuk ka kthim prapa

Kjo zhurmë e krijuar mbrëmë nga qytetarët e Prishtinës, është bërë në shenjë pakënaqësie ndaj situatës së fundit politike në Kosovë në një kohë kur vendi si e gjithë bota po përballen me pandeminë e koronavirusit.

Pikërisht për shkak të kësaj pandemia kreu i Lidhjes Demokratike e Kosovës Isa Mustafa i ka kërkuar nga partneri i koalicionit, kryeministri Albin Kurti që të tërheqë vendimin për shkarkimin e Agim Veliut dhe të heq tarifën ndaj produkteve serbe në mënyrë që LDK të mos vazhdojë procedurat për të vënë në votim mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

Ai thotë se më 16 Mars ia kishte bërë me dije Kurtit se mostërheqja e tarifës dhe ashpërsimi i raporteve me SHBA-në do të sjell në pikëpyetje koalicionin duke ia bërë më dije Kurtit se nuk e kanë bërë koalicionin për ta prishur por për të bërë ndryshime. Mustafa thotë se si përgjigje nga kryeministri Kurti ka marrë shkarkimin e ministrit të LDK-së Agim Veliu.

 “Unë nuk jam i ri të ndikohem nga të tjerët e as avanturier. Jam shumë i brengosur për njerëzit tanë, qytetarët e këtij vendi. Dua që unë dhe partia ime të japë çdo gjë dhe ta fitojmë betejën ndaj këtij virusi ka shkruar Mustafa duke kërkuar nga Kurti ti zbatojë kërkesat e LDK-së në mënyrë që ta luftojnë bashkë këtë betejë me pandeminë”.

Megjithatë Kurti duket se nuk do të zmbrapset. Ministri i Financave që vjen nga radhët e LVV-së Besnik Bislimi ka thënë se kryeministri nuk i nënshtrohet asnjë fati kohor të askujt.

“Nëse kryetari Mustafa vetëm një gjë e ka mësuar nga bashkëtakimet dhe bashkëbisedimet që kemi pasur deri më tash është që qeveria Kurti s’ka kthim prapa”.

Ndërkohë Presidenti duket të jetë zmbrapsur nga kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme. Ai sot ka thurur lëvdata për IKSHP-në, policinë dhe FSK-në duke thënë se po menaxhohet mirë situate për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. 

Tv Klan




Të ngjashme