Gazetari Blendi Fevziu ishte në Durrës, në një prej zonave më të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Hotele e ndërtesa të shkatërruara thuajse tërësisht janë pasojat e lëkundjeve që i kushtuan jetën dhjetëra personave. Me një konstatim të thjeshtë dhe bazuar dëshmive të banorëve të zonës atje, gazetari thotë se pjesa më e madhe e këtyre hoteleve janë ndërtuar mbi rërë.

“Zona rreth Miramarit është zona më e dëmtuar. Pas shpinës time është hoteli i cili është rrënuar plotësisht, por edhe në dy krahët e tij, duken ndërtime të cilat janë ose jashtë përdorimit krejtësisht ose kanë pësuar dëmtime të mëdha. Në fakt të gjithë personat që takojmë, që nuk lidhen vetëm me kërkimet, banorët e zonës dhe ata që e njohin thonë që pjesa më e madhe e këtyre hoteleve janë ndërtuar të gjitha në rërë. Mjafton që të shihni që jeni vetëm pak hapa nga deti dhe çdo gjë është ndërtuar në rërë. Pra këto pallate të cilat në vitin 1999-2000 janë shembur të gjitha ndërtimet e Pandeli Majkos, janë rindërtuar pas viteve 2000, duke bërë ndërtime nga 5 deri në 9 kate krejtësisht në rërë. Pallati që po shihni ka goditje të mëdha në strukturën e ndërtimit, por njëkohësisht edhe në mënyrën sesi është ndërtuar. Ndërkohë në anën tjetër ndodhet një vilë krejtësisht e përmbysur. Vila Verde, e cila thuajse nuk ekziston më, pra kati i parë i cilës nuk ekziston më. Ndërkohë që hotel Ljubjana është krejtësisht i rrënuar. Pjesa më e madhe e këtyre pallateve janë ndërtuar në rërë, direkt në rërë”.

Gazetari thotë më tej se mbetet e panjohur se kush ka dhënë leje për ndërtimin e këtyre ndërtesave dhe a janë bërë ato konform rregullave që kërkon ndërtimi.

“Nuk dihet se cilat kanë qenë kushtet e ndërtimit, kush i ka dhënë leje. Mjafton të ecim në anën tjetër për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me këto ndërtime. Deri më sot askush nuk di të thotë a ka pasur leje, a janë dhënë lejet në bazë të të gjitha rregullave që ndërtimi kërkon. Mbi të gjitha a është  kontrolluar cilësia e ndërtimit. Banorët që jetojnë thonë që herë pas here kanë pasur probleme që vijnë edhe nga lagështia shumë e afërt, pra kripa e detit krijon një lloj erozioni që ndikon më pas sidomos në hekurin e kolonave, por edhe në strukturat e tjera”./tvklan.al