Bllokohen të gjitha rrugët rreth stadiumit

Prej orës 17:00 të së dielës të gjitha rrugët hyrëse që të çojnë drejt stadiumit “Arena Kombëtare” do të bllokohet qarkullimi i mjeteve. Për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Francë do të angazhohen rreth 800 forca policie.

Përveç bllokimit të rrugëve, në perimetrin përreth stadiumit nuk do të lejohet të parkohen automjete.

Prej orës 12:00 të së dielës, do të largohen të gjitha mjetet që qëndrojnë ende të parkuara në afërsi të stadiumit.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Francës do të nisë në orën 20:45 minuta, ndërsa hyrja e tifozë në impiantin Arena kombëtare do të fillojë në orën 18:30 minuta.

Për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Air Albania”, do të jenë të lira vetëm aksi rrugor “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza. Në terren do të zbarkojnë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat operacionale, Policia e Rendit dhe ajo e Rrugores.

Policia është kujdesur që të kontrollojë të gjitha makinat që do të lejohen brenda perimetrit, që të bëhet kontrolli anti-eksploziv.

Po kështu, forca të shumta policie do të qëndrojnë edhe në lokalet pranë stadiumit, ku pritet që numri i tifozëve të jetë mjaft i lartë. Mësohet se rreth 1500 tifozë do të vijnë nga Franca për të parë ndeshjen.

Tv Klan