Veliaj: Ushqime dhe ilaçe për personat në nevojë

Familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit janë vënë në fokus të Bashkisë së Tiranës për t’i ndihmuar me ushqime dhe ilaçe në gjendjen e pandemisë në të cilën ndodhemi. Nga Ndroqi, kryebashkiaku premtoi se ndihma nuk do t’i mungojë askujt.

“Do vazhdojmë me këtë skemë, për çdo nevojë në ushqime, ilaçe, apo nevoja të tjera, si çadra, kontenierë. Kur funksionon edhe posta, edhe ushtria, edhe pastrimi, edhe policia, tregon se në këto vite kemi ftilluar një shtet serioz”.

Veliaj vlerësoi edhe nismën e ndërmarrë nga Kryeministri Rama për çështjen e pagesave të qirave.

“Kryeministri bëri diçka të mirë dje për punën e qirave, duke dhënë mundësi të shtyhen afatet dhe të paguhen me këste ndër muaj. I jep frymëmarrje biznesit të vogël apo atyre që mund të kenë humbur një vend pune dhe terezinë e familjes nga epidemia. Pjesa më e madhe e halleve të njerëzve është adresuar, pra ushqimi, qiraja, heqja e kamatë vonesave”.

Pas kapërcimit të situatës së krijuar prej koronavirusit, Veliaj tha se do të rinisë puna për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.

Tv Klan