Spanja ka reduktuar kufirin e shpejtësisë për automjetet në rrugët kryesore duke e ulur në 90 km/h, nga 100 km/h që ishte. Kjo masë ka hyrë në fuqi ditën e martë.

Autoritetet spanjolle kanë ndryshuar më shumë se 2700 tabela rrugore me një kosto prej 526 mijë Euro. Qëllimi për këto ndryshime është që Spanja të hyjë në grupin e vendeve të sigurta të BE-së, me një numër të ulët të vdekjeve nga aksidentet rrugore, nën 30 të tilla për 1 milion banorë.

Ndërkohë, në Gjermani qeveria i ka rezistuar presionit për të vendosur një limit shpejtësie në autostrada. Argumenti që përdoret për të vendosur limit shpejtësie ka të bëjë me ndotjen e ajrit, pasi emetimet e karbonit janë më të mëdha në shpejtësi të larta. Gjithashtu, edhe ulja e aksidenteve ishte një ndër faktorët që shoqëronin këtë kërkesë, por që qeveria e refuzoi.

Të dhënat për vitin 2017 nga Këshilli i BE për Sigurinë dhe Transportin tregojnë se aksidentet me pasojë vdekje ishin më të ulëta në Suedi dhe Britani të Madhe në bazë të numrit të popullsisë.

/tvklan.al