Qeveria e Irlandës planifikon të miratojë një legjislacion deri në fund të majit që do t’i lejojë autoritetet të rifillojë dërgimin e azilkërkuesve në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjykata e Lartë irlandeze vendosi muajin e kaluar se Irlanda nuk mund të kthente mbrapsht personat që mbërrijnë nga Britania e Madhe për të kërkuar azil, sepse qeveria irlandeze nuk kishte përcaktuar nëse ata mund të rrezikoheshin me kthimin e tyre. Pas mosmarrëveshjeve në rritje midis Londrës dhe Dublinit lidhur me këtë çështje, kryeministri Simon Harris përcaktoi planet që Ministrja e Drejtësisë Helen McEntee të kapërcejë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe i kërkoi Londrës të respektojë një marrëveshjeje të vitit 2020 që lejon azilinkërkuesit të kthehen në çdo drejtim.

Ministrja e Drejtësisë Helen McEntee bëri të ditur se Irlanda nuk kishte kthyer askënd në Mbretërinë e Bashkuar sipas marrëveshjes së vitit 2020, sepse ajo ishte pezulluar gjatë pandemisë COVID-19 dhe më pas u përball me një sfidë ligjore.

Emigracioni është një çështje e ndjeshme politike në Irlandë, ku kërkesat për azil janë rritur ndjeshëm. Planet e kryeministrit Rishi Sunak për të dërguar  emigrantë të paligjshëm në Ruandë pa pasur mundësi për të kërkuar azil në Britaninë e Madhe kanë  ngjallur shqetësime tek Irlanda sepse ajo ka një kufi tokësor me Britaninë e Madhe. Pala irlandeze bën me dije se 80% e azilkërkuesve të fundit kanë ardhur nga Irlanda e Veriut pas skemës “Ruanda” pasi emigrantët e jashtëligjshëm kanë frikë se do të dërgohen në vendin afrikan.

Klan News