Përgjigja e ADN-së zbulon identitetin. Dyshohet pista e transportit të drogës

Në avionin e rrëzuar rreth 3 javë më parë në zonën e Kelmendit të Malësisë së Madhe udhëtonin 2 shtetas shqiptarë. Kjo është konfirmuar nga ekspertiza dhe përgjigja e ADN-së për provat e gjetura brenda avionit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se shenjat e gishtave i përkasin dy shtetasve shqiptarë. Ky fakt është zbuluar pak ditë më parë për policinë dhe prokurorinë të cilët kanë bërë dhe identifikimin e dy shqiptarëve që ndodheshin në bord dhe që pas rrëzimit të avionit u larguan prej andej. Emrat e tyre nuk bëhen me dije nga policia për shkak të hetimit pasi po verifikohen kush janë personat qe i ndihmuan ata për t’u larguar nga Vermoshi.

Grupi hetimor ka mundur të sigurojë prova edhe për automjetin tip fuoristrade por ende nuk kanë rënë në gjurmët e shoferit. Avioni dyshohet se po përdorej për transport droge dhe ra nga mbipesha. Gjithashtu një tjetër pistë që po hetohet është dhe lënda narkotike që u kap në Mal të Zi një ditë pas rrëzimit të avionit. Bëhet fjalë për 300 kilogramë marijuanë të sekuestruar në doganën e Podgoricës, që po transportohej me një kamion cisternë, që hyri nga Shqipëria dhe kishte destinacion përfundimtar Bosnjë-Hercegovinën.

Avioni u gjet i rrëzuar paraditen e datës 4 Tetor, rreth 800 m në vijë ajrore nga kufiri me Malin e Zi, ndërsa në të nuk u gjendën shenja dalluese si flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi.

Klan News