Arrestimet u kryen në Tiranë dhe Laç, pasi akuzohen për trafik droge dhe organizate kriminale

Policia shqiptare ka arrestuar dy persona cilët kërkoheshin nga Italia për trafik të lëndëve narkotike. Në pranga kanë rënë Bledar Coman i njohur dhe me mbiemrin Kurti dhe Eni Uruçi.

Arrestimi i tyre është bërë njëkohësisht në Tiranë dhe Laç në kuadër të operacionit “NEIKEA”, operacion në koordinim dhe me autoritetet italiane.

Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar dhe 12 persona të tjerë, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës.

Ky operacion e ka zanafillën në vitin 2016 nga Policia e Milanos dhe kishte për qëllim goditjen e organizatës kriminale që drejtohej nga shtetasi italian Luca Guerra që merrej me shitjen e kokainës në Balsamo/Milano.  

Ai është arrestuar më 1 prill të 2016 dhe drejtimin e organizatës kriminale e mori shtetasi Giuseppe Sanfilipo, i cili u arrestua më datë 25 qershor të po këtij viti, pasi tentoi të vriste një shtetas shqiptare.

Sipas autoriteteve bëhet e ditur gjithashtu se në 13 nëntor të vitit 2016 është arrestuar në kufirin midis Francës dhe Italisë, korrieri shqiptar i drogës, si dhe janë sekuestruar 8.6 kg kokainë.

Klan News