Situata me koronavirusin ka bërë që emisioni i dashur për fëmijë “Në Kurthin e Piter Pan” në TV Klan të nisë në një mënyrë të pazakontë këtë të hënë. Në studio nuk kishte publik, si masë kundër virusit pas rasteve të konfirmuara në vendin tonë.

“Sot është një emision i pazakontë pasi asnjëherë nuk kam folur në një studio pa publik. Sot studioja është bosh për të respektuar indikacionet e instancave përkatëse”, tha moderatorja Alketa Vejsiu.

Vejsiu rënditi disa nga rregullat bazë për ndalimin e koronavirusit, siç janë: distanca nga njerëzit që kolliten, shmangia e prekjes së fytyrës me duar, fërkimi i duarve për 20 sekonda kur i lajmë, përdorimi i bërrylit kur tështijmë ose kollitemi dhe qëndrimi në shtëpi për të ndaluar përhapjen e sëmundjes.

“Ky virusi që ka na ardhur i paftuar në Shqipërinë tonë të vogël mund të bëjë dëme nëse ne nuk ndërgjegjësohemi dhe themi me ekstravagancë që ne nuk na gjen gjë. Ja që ai virusi ka fuqinë që të bëjë dëme. Prandaj kur bëhet një thirrje për të qëndruar në shtëpi le ta respektojmë dhe të shohim anën pozitive të medaljes. Le ta shohim si një anë pozitive për të qëndruar pranë fëmijëve. Shpresoj që të lehtësohet pak situata edhe për nënat.

Sonte do të fluturojmë si në çdo mbrëmje pa njerëz, pa publik, pa buzëqeshje, pa duartrokitje, por unë mendoj që 10 mendje të bukura do të na bëjnë  megjithatë që të ëndërrojmë sonte”, tha Vejsiu./tvklan.al