Çrregullimi i gjakut ose mosmpiksja e tij që njihet ndryshe si Hemofilia ndeshet kryesisht tek grupmosha e të rriturve. Në Shqipëri janë rreth 250 pacientë me këtë sëmundje, prej të cilëve 78% janë të rritur dhe 22% fëmijë.

Bledi Kalaja, mjek Hematolog, QSUT: Figurojnë 250 paciente, duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e tyre janë Hemofilia A, pra mungesa e faktorit VIII koagulimi. Një pjesë tjetër janë Hemofilia B, mungesë e faktorit IX të koagulimit. Sigurisht janë edhe disa patologji ose çregullime të tjera të koagulimit të gjakut krysisht të lindura që janë akoma më të rralla që janë mungesa e faktorëve VII, X, XIII.

Sipas specialistëve, Hemofilia është e trashëgueshme dhe më të prekur janë meshkujt, por nuk mungojnë as rastet me defekte gjenetike për shkak të sëmundjeve autoimune.

Bledi Kalaja, mjek Hematolog, QSUT: Në 99% të rasteve është një sëmundje Hemofilia si A apo B janë sëmundje të trashëgueshme gjenetikisht kryesisht nga kromozomi ‘X’ reçesiv që i themi ne, pra është ai ‘X’ i vogël që nëna mund t’ja transmetojë fëmijës. Djali merr ‘Y’ nga babai dhe ‘X’ nga nëna. Nëna mund t’i japë ‘X’ dominant, pra të normalin por mund t’i japë edhe ‘X’ reçesiv pra atë që mbart me vete informacionin e dëmtuar që mund të merret me prodhimin e faktorëve përkatës, VIII ose IX.

Mjekët nënvizojnë se për të shmangur këtë çrregullim apo hemorragji që shkakton Hemofilia, çiftet e reja duhet të kryejnë ekzaminime para planifikimt për të bërë fëmijë.

Bledi Kalaja, mjek Hematolog, QSUT: Çiftet e reja në rradhë të parë kanë një planifikim familjarë për të bërë të ditur se si dhe në çfarë mënyre mund të bëhet transmetimi i këtij difekti nga nëna tek fëmija. Kryesisht bëhet fjalë për çifte të rinj që kanë një histori me individë me Hemofili në familjen e tyre. Hapi tjetër është gjatë shtatzanisë.

Në Shqipëri ofrohet mjekimi i pacientëve me faktorin VIII dhe IX për të parandaluar eventet e hemoragjive, ndërsa sipas OBSH në gjithë botën janë rreth 400 mijë pacientë që vuajnë nga sëmundja e Hemofilisë.

Klan News