Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë e ftuar një nënë e quajtur Drane e cila ka folur për djalin e saj të vogël. Nga temperatura ai është sëmurë dhe sjellja e tij agresive po e lodh nënën e tij çdo ditë e më shumë. Është 13 vjeç dhe ai duhet të jetë pranë të ëmës gjatë gjithë kohës që të mos lëndojë njerëzit, madje gjatë gjithë kohës e mban të shtrënguar fort më krahët e saj që ai të mos shkaktojë probleme.

Drania: Djali ka lindur normal, kur ishte 1 muaj e gjysme e ka kapur temperatura dhe e vjellura derisa ka bërë 6 muaj, pasi ka bërë 6 muaj djali u përmirësua. Kur u bë 4 vjeç djali tha fjalët e para deri në 8 vjeç.

Drania tregon se e ka çuar në një kopsht privat tek një kishë dhe djali i saj i kishte merak lulet dhe i këpuste.

Drania: Më tha murgesha që nuk kam çfarë t’i bëj se ky po këput lulet dhe i ndërroj vend, e çoj në kopsht shtetëror prapë. Aty qëndroi 3 ditë dhe më pas djali filloi të qante dhe nuk shkoi më atje. E çoja në Tiranë, doktorët më thoshin nuk ka gjë do përmirësohet.

Drania shprehet se e ka lidhur djalit një Kemp dhe pa patur një njeri pranë, djali mund të bëhet shumë agresiv dhe tregon se gjatë gjithë kohës duhet ta mbajë pas vetes të lidhur me të dyja duart.

Psikologu Saimir Bakalli i ka ofruar ndihmën e tij, duke i dhënë disa kontakte dhe do përpiqet që djali i saj të trajtohet në qendrën përkatëse, ku do bëhet dhe vlerësimi i gjendjes së tij. Drania shprehet se i intereson që puna e djalit të zgjidhet sepse e ka shumë të vështirë të merret me të dhe ndihet tepër e lodhur dhe e pafuqishme.

Ajo largohet nga studio për shkak të gjendjes së djalit, ai filloi të lëvizte dhe moderatorja Mirela  Milori nuk dëshironte që ta vazhdonte më tej këtë intervistë. Psikologu tregon se edhe para se të hynin në emision, ai tentoi ta mbante djalin, por u bë shumë agresiv me të gjithë që kjo mund të çojë edhe në lëndime fizike.

Ai shprehet se fëmija ka dashur të trajtohet që në momentin e vlerësimit dhe diagnostikimit dhe nuk kalohet duke thënë që fëmija nuk ka gjë. Kjo është pasojë e temperaturës që ai ka kaluar dhe kjo gjë nuk duhej neglizhuar nga asnjë prind sepse është shumë e rrezikshme për çdo fëmijë. /tvklan.al