Nga mesazhet e koduara të babait të Linditës, tek familja e shquar e Vetonit, kush është Alil Musai

Nga mesazhet e koduara të babait të Linditës, tek familja e shquar e Vetonit, kush është Alil Musai

13:42 03/01/2020

Policia australiane është në pritje për të marrë në pyetje babanë e Lindita Musait, i cili e qëlloi për vdekje atë dhe bashkëshortin e saj, Veton Musai, më 31 dhjetor.

Çifti i ri, me origjinë nga Struga e Maqedonisë, i martuar një vit më parë, u qëllua ndërsa ndodheshin në banesë duke festuar Vitin e Ri dhe përvjetorin e tyre të martesës, në Melbourne.

Lindita Musai, 25- vjeçe, besohet se është qëlluar e para me armë nga i ati sapo i ka hapur derën, ndërsa pas saj ka shtënë mbi dhëndrin 29- vjeçar, e më pas mbi veten.

Lindita mbeti e vdekur në vend, ndërsa Vetoni ndërroi jetë në spital disa orë më pas. Vetë autori, 55- vjeçari Osman Shaptafaj, ndodhet në spital në gjendje kritike, nën vëzhgimin e forcave të policisë.

Mediat vendase shkruajnë se Shaptafaj ishte parë nga fqinjët teksa dilte me nxitim nga banesa dhe më pas kishte qëlluar veten.

Referuar mediave të huaja, Veton Musai ishte djali i  udhëheqësit të shquar shqiptaro-australian Alil Musai, i cili emigroi në Australi nga Maqedonia në vitet 1980. Po ashtu edhe bashkëshortja e tij është anëtare e komunitetit shqiptar të Melburnit.

Ai është ish-presidenti i Komunitetit Shqiptar të Melburnit i cili në vitin 2000 mbështeti refugjatët kosovarë nga lufta Jugosllave.

Çifti i ri, sipas miqve të afërm, kishte planifikuar që shumë shpejt të blinin një banesë dhe më pas do të zgjeronin familjen e tyre, por ëndrrat iu prenë tragjikisht në mes. Ata cilësohet si persona të dashur e të qeshur dhe shumë të dashuruar.

Kohë më parë Osman Shaptafaj ishte larguar nga banesa në të cilët jetonte me të bijën, për arsye ende të panjohura, ndërsa po ashtu ai nuk është parë as në fotot e fejesës dhe martesës së saj, teksa pozonte në krah të familjarëve të bashkëshortit, prindërve të tij, dy vëllezërve dhe kunatës.

Pas ngjarjes së rëndë, policia ka nisur hetimet duke kontrolluar banesën e tij, duke pyetur fqinjët por edhe duke parë aktivitetin e tij në rrjetin social, Facebook.

Ajo që bie në sy dhe tërheq vëmendjen, janë mesazhet që duken si të koduara, në të cilat lihet të kuptohet se Osmani ishte një person që nuk kishte raporte të mira me të afërmit. Fakti që ai nuk kishte marrë pjesë në gëzimin e të bijës, në fejesë dhe martesë, ngre dyshime se ata kanë pasur konflikte të mëparshme.

Ndërkohë, në disa foto të postuara në Facebook, bashkangjitur imazhit të tij, ai ka vendosur një foto të një deleje të zezë mes disa të bardhave, duke identifikuar veten e tij në mënyrë ilustruese.

Një tjetër foto është me mbishkrimin: Më doni ose më urreni, të dy janë në favorin tim. Nëse më doni do të jem gjithmonë në zemrën tuaj, nëse më urreni, do të jem gjithmonë në mendje.

Në një postim tjetër shkruan: Jeta e pyeti vdekjen – pse njerëzit më duan, por ty të urrejnë? Vdekja u përgjigj, sepse ti je një gënjeshtër e bukur dhe unë jam një e vërtetë e hidhur.

Ndërkohë ende nuk dihet se cili ka qenë shkaku real që ka çuar 55- vjeçarin në një akt që i ka tronditur të gjithë. /tvklan.al



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi