Ngjarjet më të rëndësishme të 2019-s

Ngjarjet më të rëndësishme të 2019-s

16:48 01/01/2020

Nga kriza politike, te aktualiteti, rajoni dhe bota

Politika dominoi edhe këtë vit lajmet, duke shënuar dhe precedentë të panjohur, jo vetëm në vend, por dhe në Europë.

2019-ta nisi me një kabinet të riformatuar, ndryshime të paralajmëruara në fundin e 2018-s. 

Ministrat që kishin qëndruar për 5 vjet në kabinetin e Edi Ramës u detyruan të lëshonin vendet e tyre për emra që deri më atëherë nuk ishin shumë të njohur për publikun.

Por për njërin prej tyre, të përzgjedhurin e Kryeministrit për të zëvendësuar Ditmir Bushatin në krye të diplomacisë, 28-vjeçarin nga Kosova, Gent Cakajn, Presidenti nuk pranoi të firmosë dekretimin, çka shënoi dhe përplasjen e fortë të kreut të shtetit dhe Kryeministrin, përplasje që do të thellohej edhe më tej në muajt që do të pasonin.

Përballë vendosmërisë së kreut të shtetit për të mos firmosur për Cakajn, Edi Rama u detyrua që të marrë vetë zyrtarisht postin e Ministrit të Jashtëm dhe një ditë më pas, në 14 Janar ia delegoi të gjithë kompetencat Gent Cakaj, i cili mbante postin e Zv/ministrit në këtë dikaster.

Ditmir Bushati këtë ditë tregoi përpara medias se nuk e kishte përtypur dot zëvendësimin.

Në rajon viti nisi me një lajm të rëndësishëm, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës në 2018-n, në Janar parlamentet e Shkupit dhe Athinës e miratuan. Fqinji ynë juglindor zyrtarisht mori emrin Maqedonia e Veriut.

Në arenën ndërkombëtare, marrëveshja e Brexit ishte kryefjala. Pasi Tereza May dështoi 2 herë të miratojë në parlament  marrëveshjen e arritur me Brukselin, vendosi të dorëhiqet dhe t’i hapë rrugën Boris Jonsonit, rivalit të saj brenda konservatorëve, i cili arriti marrëveshje të re me Brukselin, por duke mos pasur shumicën në parlamentin londinez, e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, të cilat i fitoi bindshëm në fund të vitit, duke e vendosur përfundimisht finalizimin e Brexit  fillimin 2020.

Në Tiranë, 17 Janari, veç përvjetorit 551 të vdekjes së Skënderbeut, shënoi një ngjarje të shumëpritur dhe shumëkërkuar në mënyre specifike nga Ambasada e SHBA në Tiranë, arrestimin e Kelment Balilit, të njohur si “Eskobari i Ballkanit”. I akuzuari si një nga drejtuesi kyç të rrjeti të trafikut të lëndëve narkotike në Europë, u vetëdorëzua dhe brenda vitit, vetëm pas 7 seancash, gjykata dha vendimin në 7 Maj. 47-vjeçari nga Saranda u dënua me 10 vjet heqje lirie, çka u la në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit. 

Nga ana tjetër, situata politike nuk po kalonte ditët e saj më të mira. Publikimi i përgjimeve nga BIRN dhe Zërit i Amerikës, për dosjen e njohur si Dosja 339, ku hetimet për një grup kriminal që e shtrinte aktivitetin në Durrës dhe Shijak kishin përfshirë dhe Kryebashkiakun e Durrësit, ndezi luftën e opozitës.

Kjo e fundit i shikonte këto përgjime si fakt që Edi Rama i kishte blerë zgjedhjet e 2017 dhe nisi një betejë për largimin e Kryeministrit dhe zgjedhje të parakohshme.

Kryedemokrati paralajmëroi protesta kombëtare. Përpara protestës së 16 Shkurtin, në të fundit seancë parlamentare ku opozita mori pjesë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD sulmoi Kryeministrin, duke hedhur mbi të bojë. Pamjet e Kryeministrit pas këtij sulmi u bënë lajm në shumë gazeta ndërkombëtare.

Protesta e parë para Kryeministrisë nuk kaloi pa dhunë. Kjo solli dhe reagimin e ndërkombëtarëve, që i dënuan me forcë këto akte.

Në të njëjtën ditë dhe orë kur opozita protestonte, Edi Rama organizoi një miting të madh në Vlorë, që nga opozita u cilësua si antimiting.

Pasi kishte paralajmëruar disa herë, Lulzim Basha do ta bënte fakt djegien e mandateve.

Në 18 Shkurt, vendimi u zyrtarizua. Të vetmit që i dolën kundër vendimit të Grupit ishin Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi, të cilët u përjashtuan menjëherë nga partia.

Por radikalizimi i aksionin opozitar nuk ndryshoi aspak qëndrimin e maxhorancës.

Menjëherë parlamenti i dërgoi KQZ listën me vakancat e krijuara dhe ky institucion pa vonesë nisi plotësimin e tyre.

Një pjesë e madhe e kandidatëve për deputetë refuzuan t’i marrin mandatet, por jo të gjithë.

Por dhunën nuk e kemi parë vetëm në protesta gjatë këtij viti. Dhuna në futboll është një fenomen i njohur në vendin tonë, por rasti i dhunimit të gjyqtarit Eldorian Hamiti nga Presidenti i Klubit të Kamzën, në ndeshjen që ky ekip zhvilloi me Laçin ishte nga më të rëndat.

Pikërisht për këtë arsye, në 6 Mars u mor vendimi për përjashtimin të ekipit të Kamzës nga kampionati.

Menjëherë pas futbollit, si një virus ngjitës, 3 raste të një pas njëshme të dhunimit të bluzave të bardha, u shënuan në spitale.

Dhuna në fushat e blerta, ajo në spitale dhe dhuna në protestat e opozitës që u manifestua dhe gjatë bllokimit të akseve rrugore u bë shkak për ndryshimin e Kodit Penal dhe ashpërsimin e sanksioneve për çdokënd që kryente akte dhune, si dhe abuzonte me sigurinë ushqimore.

Por ky muaj solli lajme të mira për shqiptarët e Malit të Zi. Në zgjedhjet e 3 Marsit,koalicioni i partive shqiptare “Malësia na bashkon” fitoi zgjedhjet vendore në Tuz duke siguruar 16 nga 32 vendet e këshillit komunal. Kandidati i tyre i përbashkët Nik Gjeloshaj u zgjodh i pari kryetar pas rikrijimit të komunës me shumicë shqiptare, pas 62 vitesh.

Presioni ndërkombëtar ishte i madh që palët politike në Tiranë të uleshin për të dialoguar. Mesa duket, të lodhur nga rigjenerimi i krizave të vazhdueshme në Shqipëri, asnjë prej tyre nuk pranonte të inicionte dialogun, duke e cilësuar si çështje të brendshme të aktorëve vendas.

Në të njëjtën ditë që Palmer fliste për situatën politike në Tiranë, kjo e fundit do të tronditej nga një ngjarje e rëndë kriminale.  Në 9 Prill, në Aeroportin e Rinasit, në avionin ku pak minuta më parë kishte zbritur kreu i shtetit, kryhet një nga grabitjet më spektakolare.5 persona të maskuar dhe të armatosur hynë me një makinë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” në pistën e Aeroportit të Rinasit, duke grabitur rreth 6.5 milionë euro që do të transportoheshin me avion drejt Vienës.

Në tentativë për t’u larguar, makina e autorëve u ndoq nga policia dhe pas shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë një nga grabitësit që u identifikua si Admir Murataj. Prokuroria dhe Policia në kohë rekord identifikuan personat e përfshirë, duke vënë në pranga Rakip Hajdinin, Elton Piklin, Renaldo Sulajn, Oltjan Veselin, Saimir Çelën dhe Alkond Bengasin.

Opozita vijonte protestat, por ndërkohë zgjedhjet po afroheshin. Rama kishte nisur takimet elektorale dhe ripërsëriste se ishte gati për dialog, por jo për të negociuar me opozitën. I prerë, ai kishte deklaruar se zgjedhje të parakohshme nuk do të kishte dhe aq me pak dorëheqje nga ana e tij si Kryeministër.

Në kulmin e kësaj krize, Presidenti Meta u shfaq me një deklaratë që bëri jo pak bujë. Në Pogradec, ai u vetëofrua të linte postin e Presidentit si garant për zgjidhjen e krizës, madje duke u vetësakrifikuar si ish-Presidenti kilian, Salvador Alende.  

Deklarata e Metës u ironizuan nga Kryeministri, i cili në Kongresin e Partisë Socialiste të 23 Marsit, zyrtarizoi Erjon Veliajn për të rikandiduar për Tiranën, duke dhënë mesazhin se PS kishte ndezur motorët e fushatës dhe nuk po mendonte për të hedhur asnjë hap pas.

Edhe në futboll, ashtu si në politikë, muaji Mars nuk arriti të sjellë ndonjë arritje.

Në datën 22, shpresat për t’u kualifikuar në Europian 2020 u prenë, pas humbjes 2 me 0 në stadiumin e Shkodrës me Turqinë. Kjo solli dhe shkarkimin e trajnerit të Kombëtares, Kristiano Panuçin, pas rezultateve të një pas njëshme zhgënjyese.

Vetëm 3 javë më vonë, në 17 Prill, Edi Reja do të zinte vendin e tij në pankinën e kuqezinjve.

Mesi i Prillit shënoi një ngjarje të trishtë në Francë. Pas më shumë se 9 orësh betejë me flakët, çatia e “Notre Dame”, katedrales 850-vjeçare u shkrumbua krejtësisht, por për fat u shpëtua struktura kryesore, dy kullat e famshme.

Në politikë, Prilli nuk ndryshon asgjë. Afatet po kalonin dhe atë që kishte deklaruar, opozita e beri fakt, duke mos u regjistruar për zgjedhjet lokale.

E vetmja forcë opozitare që u përfshi në to ishte partia e sapo regjistruar e Astrit Patozit, Bindja Demokratike.

Por politika e ditës nuk ishte e vetmja që dominoi. Samiti i Berlinit, i thirrur nga Kancelarja Merkel, ku pjesë ishte dhe Presidenti francez Macron, do të shënonte një krisje të pariparueshme në marrëdhëniet mes 2 kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës.

Pas këtij samiti, Ramush Haradinaj do të deklaronte se Edi Rama i kishte bërë presion të pranonte heqjen e taksës 100 %  për mallrat serbe, çka u hodh poshtë nga Rama.

6 Maji do të shënonte një goditje të madhe për Forcat Shqiptare të Armatosura.

Zarife Hasanaj, Klodian Tanushi, 2 ushtarakë pjesë e misionit në bazën e NATO-s, Camp Adazi në Letoni, ku forcat shqiptare ishin të angazhuar me demontimin e municioneve do të humbnin jetën nga shpërthimi i një bombe.

Situata e nderë e politikës në Tiranë do shkonte drejt tej nxehjes, kur e përditshmja gjermane Bild nisi publikimin e disa përgjimeve të njohura si Dosja 184, ku bënin pjesë deputetë dhe zyrtarë të lartë socialistë, në fushatën e zgjedhjeve të Dibrës, që dyshoheshin si të përfshirë në shitblerjen e votës.

Por pavarësisht këtyre zhvillimeve, palët nuk lëvizën nga llogoret e tyre.

Shpresat gjithsesi vazhdonin të ishin të mëdha se një negociatë e minutës së fundit do të ndryshonte të gjithë rrjedhën e krizës, dhe palët, ashtu si në 17 Maj, do të arrinin një marrëveshje.

Por kur asgjë e tille nuk po ndodhte, as Lulzim Basha që po vazhdonte protestat, shpesh herë dhe të dhunshme dhe as Edi Rama, që po vazhdonte fushatën edhe pse pa kandidatë përballë, në skenë futet Presidenti.

Pikërisht në 8 Qershor, kur opozita kishte lajmëruar protestën e radhës dhe ku nuk mungonin lajmet se dhuna do të ishte prezente, Ilir Meta, vetëm 30 minuta përpara nisjes së saj, lajmëroi se kishte vendosur të shfuqizonte 30 Qershorin si datën e zgjedhjeve lokale.

Ky vendim ndryshoi rrjedhën e protestës, e cila u zhvillua pa asnjë incident, por aspak qëndrimin e Kryeministrit. Përpara kamerave, në një takim elektoral në Berat, sapo u njoftua për këtë vendim të Ilir Metës, deklaroi se zgjedhjet do të mbaheshin në 30 Qershor dhe dekretin e Presidentin nuk e njeh.

Të hënën e 10 Qershorit, Meta do të firmoste dekretin duke theksuar përmes kësaj shenje (Shqiponjës) se vendimin e kishte marre për stabilitetin e vendit, pasi kishte informacione se grupe kriminale do të shfrytëzonin protestën për të djegur selinë e parlamentit.

Por në të njëjtën ditë, socialistët lajmëruan se do të nisnin procedurën e shkarkimit për kreun e shtetit.

Pasi miratuan një rezolutë në parlament, ku e cilësonin si shkelje kushtetuese dekretin e shfuqizimit të zgjedhjeve, shumica ngriti dhe një Komision Hetimor që synonte shkarkimin e Presidentit të Republikës, duke shënuar kështu dhe një precedent të ri në politikën shqiptare.

Madje iu drejtuan dhe Komisionit të Venecias për një opinion.

Por Presidenti dukej i pashqetësuar nga këto iniciativa, në konferenca të një pas njëshme për shtyp, duke sfumuar madje dhe rolin e opozitës, ai sulmonte Kryeministrin, që e akuzonte se kishte kapur në duart e tij Reformën në Drejtësi.

3 ditë përpara zgjedhjeve lokale, Meta nxori një datë të re për zgjedhjet, 13 Tetorin, datë që sipas tij, mund të shërbente dhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale.

Pasi kishte paralajmëruar se zgjedhje nuk do të kishte, madje duke dëmtuar në disa zona dhe materialet zgjedhore në KZAZ të ndryshme, pas presionin ndërkombëtar, opozita në 30 Qershor vendosi të tërhiqej.

Zgjedhjet u mbajtën, edhe pse të parat zgjedhje ku në më shumë se gjysmat e bashkive, socialistët nuk kishin rivalë përballë.

Dhe siç mendohej, në 60 bashki nga 61 që ishin në të gjithë vendin, drejtimi u mor nga socialistët.

ODIHR në raportin paraprak e bëri të qartë se nuk bën certifikim të zgjedhjeve, pasi janë institucionet zgjedhore shqiptare që e kanë këtë tagër, por renditi një sërë elementesh që sipas Audrey Gloverit dëshmonin se standardet e zgjedhjeve nuk ishin në lartësinë e kërkuar.

Temperaturat e larta të Korrikut sollën jo pas probleme me zjarret në vend, por dhe në botë. Zjarret në pyjet e Amazonës, e cilësuar si “mushkëria e globit”, shqetësuan të gjithë botën. U desh angazhimi i forcave zjarrfikëse ndërkombëtare, që 9500 vatrat e zjarreve që vazhdonin prej muajsh të mund të shuheshin.

Temperaturat u rritën dhe në Kosovë, jo për shkak të motit, por për shkak të dorëheqjes së Ramush Haradinajt, në 19 Korrik, pasi u thirr nga Gjykata Speciale e Hagës për Krimet e Luftës në Kosovë për t’u pyetur si i dyshuar. Por shkaku i vërtetë i pathënë asnjëherë publikisht, duket se ishte presioni vendas dhe ai ndërkombëtar për taksën 100 përqind, të vendosur për mallrat serbe, si dhe përplasjet me Presidentin Thaçi lidhur me debatin e ndryshimit të kufijve.

Zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në 6 Tetor sollën fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, të Albin Kurtit, 15 vjet pas themelimit të saj. Por edhe mos arritja e një marrëveshje koalicioni me LDK, e cila doli forcë e dytë në këto zgjedhje, e ka pamundësuar krijimin e qeverisë tani, 3 muaj pas këtij procesi.

Pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri, Edi Rama e pa si mundësi për riorganizimin e partisë, që në fakt preku vetëm Qarkun e Shkodrës. Valdrin Pjetri, kryebashkiakut të sapozgjedhur, Kryeministri i besoi drejtimin e Qarkut, duke e larguar Ditmir Bushatin, tani edhe si drejtuesin politik të Shkodrës.

Por Pjetri nuk arriti ta shijoi këtë peshë kaq të madhe politike që po i jepej. Pak ditë para se të merrte zyrtarisht detyrën si kryebashkiak, demokratët publikuan disa dokumente që provonin se ai kishte qenë i dënuar në Itali për trafik lëndësh narkotike, çka nuk ishte pasqyruar në formularin e Dekriminalizimit.

Kjo e detyroi që të dorëhiqej, duke krijuar dhe një krizë në qeverisjen vendore të këtij qyteti.

Presidenti ende nuk ka vendosur edhe sot, pas afro 5 muajsh, të nxjerrë një dekret për zgjedhjet e pjesshme.

Por kjo nuk e pengonte Ilir Metën që të vazhdonte komunikimin institucional me Kryeministrin.

Përmes një letre në verë, ai i kërkonte informacion Kryeministrit dhe Ministres së Mbrojtjes për masat e marra nga qeveria për përballimin e emergjencave dhe fatkeqësitë natyrore. Ky shqetësim i Metës kishte lindur nga një intervistë e një sizmologu të njohur grek, i cili kishte paralajmëruar një tërmet të fuqishëm që do të godiste rajonin tonë.

Por përgjigja e Ministres Xhaçka ishte se shteti është më i fortë se kurrë më parë për të përballuar çdolloj situate, edhe pse tërmetet, nënvizonte ajo, nuk mund të parashikohen.

Edhe kjo përplasje si shumë të tjera u harrua, pasi politika në Shqipëri është kaq dinamike sa lajmi nuk do 3 ditë për t’u harruar, pasi çdo orë prodhon një lajm të ri.

Ilir Meta u vendos në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Ai personalisht iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të depozituar një ankimin kundër ligjit për ndërtimin e teatrit të ri.

Rikthimi nga pushimet nuk është se solli qetësi mes aktorëve të politikës shqiptare.

Fillimi i Shtatorit, që shënoi dhe nisjen e sezonit të ri parlamentar, riktheu Ilir Metën në selinë e Kuvendit, të cilën e drejtoi për 4 vite kur bashkëqeverisnin me Edi Ramën. Por kësaj here, i thirrur përpara Komisionit që kërkonte shkarkimin e tij.

Një ditë më pas, delegacioni i Komisionit të Venecias erdhi në Tiranë dhe tha se raportin do ta kishin gati në 11 Tetor. Por Meta këmbëngulte se do të qëndronte në zyrë deri në ditën e fundit të mandatit të tij 5-vjeçar.

Politika do të fashitej disi, pasi një goditje sizmike me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter do të godiste pasdrekën e 21 Shtatorit rajonin e Durrësit dhe Tiranës, një goditje e forte, por që për fat, përveç dëmtimeve të qindra shtëpive, nuk shënoi asnjë viktimë.

Qeveria lajmëroi një plan masash për të ndihmuar të dëmtuarit, por dhe ndërtuesit.

13 Tetori i dekretuar si data e zgjedhjeve lokale kaloi krejtësisht nga heshtja, madje dhe vetë Meta e kaloi këtë ditë në plazh.

Demokratët kishin nisur akuzat dhe për një tjetër kryebashkiak, atë të Vorës, i cili kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit një ndalim nga policia greke për transferta me para të falsifikuara. Pasi prokuroria provoi se kjo vepër penale ishte kryer nga i zgjedhuri socialist dhe kërkoi arrestimin e tij, Agim Kajmaku do të zhdukej, duke u shpallur person në kërkim.

Në vetëm 3 muaj, 2 bashki do të mbeteshin pa kryetarë, pasi Meta, ashtu si për Shkodrën nuk ka folur me dekret për zgjedhjet e pjesshme.

Ndërkohë, në rajon procesi i Berlinit, i nisur në 2014, ka sjellë një afrim të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në një iniciativë të përbashkët Rama, Vuçiç dhe Zaev u mblodhën në Novi Sad dhe shpallën projektin e tyre të Minishengenit Ballkanik. Ata ftuan dhe 3 vendet e tjera të rajonit të bëheshin pjesë e kësaj nisme, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosjen.

Por ndërsa në takimin e 2 të mbajtur në Ohër, këto 2 të fundit u përfaqësuan në nivele ministrore, Kosova nuk pranoi të bëhet pjesë.

Ajo refuzoi edhe Samitin e Tiranës, që u zhvilluan në Dhjetor, çka nxiti një tjetër debat mes Kryeministrit Rama dhe kreut në ikje të qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinajt.

18 Tetori do të shënonte një goditje të forte për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse në 18 Qershor kishin deklaruar se vendimi do të merrej 4 muaj me vonë, Këshilli Europian, në 18 Tetor vendosi të mos i çelë negociatat për dy vendet tona, duke ngjallur dhe shumë zhgënjim. Opozita veshi me përgjegjësi për këtë dështim qeverinë, por Kryeministri tha se vendimi ishte prej politikës së brendshme te vendeve anëtare të BE.

Vrasja e kryeterroristi Abu Bakër al-Bagdadi ishte një nga kryelajmet ndërkombëtare që mori edhe më shumë vëmendje pas deklaratave të Presidentit Trump, i cili në një konferencë në 27 Tetor dhe detaje nga operacioni.

Në Shqipëri, fundi i muajit nxiti një debat të ri politik. Arrestimi i kreut të Kadastrës së Durrësit nxiti një debat të madh politik. Shumica e cilësoi si akt të bandës KÇK, siç i quan Kryeministri, të prokurorëve dhe gjyqtarëve të lidhur me krimin e organizuar që synojnë të “kapin ça të kapin” përpara procesit të vettingut. Çështjen e çoi në gjykatë prokurori Arian Ndoja, që u akuzua me emër të përveçëm nga Kryeministri në parlament, si i inkriminuar.

Vetëm pak javë më pas, në 1 Nëntor, prokurorit Ndoja i bëjnë atentat në makinën ku ai udhëtonte me shoferin e tij, Andi Maloku, i cili mbeti i vdekur dhe mikun e tij Pëllumb Muharremi, i njohur ndryshe me nofkën “Rrumi i Shijakut”. Për këtë ngjarje është vënë në pranga Redian Rraja nga Fushë-Kruja, pasi dyshohet si një nga personat që ka marrë pjesë në atentat, edhe pse ai ka mohuar të këtë lidhje me ngjarjen.

Për ata që Rama i cilëson si banda KÇK, prezantoi dhe një paketë të plote ligjore për t’i luftuar.

Festa e Çlirimit të Tiranës u kthye në një festë të madhe për Kombëtaren. Në 17 Nëntor, Arena Air Albania, stadium i ri i Kombëtares hapi dyer për 22 mijë spektatorë, në ndeshjen me Francën, që për fat të keq e humbën 0 me 2.

Por Nëntori riktheu edhe njëherë përplasjen mes shumicës dhe Presidentit të Republikës, kësaj here edhe më të fortë. Shkak ishte Gjykata Kushtetuese.

Në 7 Nëntor, në ditën e fundit të afatit ligjor për të përzgjedhur një nga 4 kandidatët në garën për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, në datën 7 Nëntor, Ilir Meta kërkoi të pezullohet procesi dhe t’i lihej radha parlamentit për të zgjedhur anëtarët që i takonin, pasi vetë Presidenti e kishte bërë zgjedhjen e parë, Besnik Muçin.

Por shumica nuk e mori parasysh këtë kërkesë.

Në 9 Nëntor, KED shpalli në Fletore Zyrtare listën me 4 kandidatët. Sipas maxhorancës, automatikisht kjo ishte njohja e Arta Vorpsit, të parës në listë si anëtare e Kushtetueses.

Por që ajo ishte zyrtarisht anëtare e kësaj gjykate duhej më parë të betohej tek kreu i shtetit. Meta nuk ia dha këtë mundësi dhe ajo me një deklaratë noteriale iu drejtua Kushtetueses ta njihte si anëtare. Në të njëjtën ditë, Meta shpalli dekretin që mandatonte Marsela Xhaferllarin ai anëtare, çka futi në një ngërç që ende nuk është zgjidhur këtë institucion, i cili pavarësisht 2 të zgjedhurave nga parlamenti, Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit, nuk mund të jetë krejtësisht funksional. Vettingu nxori jashtë sistemit Besnik Muçin, i cili nuk mundi ta shijonte detyrën e anëtarit të Kushtetueses.

Presidenti e thelloi luftën dhe bëri padi për kreun e KED dhe akuzoi disa diplomatë si të përfshirë në atë që ai e cilëson si aferë të maxhorancës.

Në 18 Nëntor shpalli non grata për institucionin që drejton Ambasadorin e OSBE, për një deklarate që kishte bërë në muajin Qershor, për dekretin e shfuqizimit pro dhe për këtë gjest që Bochard i kishte bërë disa protestueseve të Unazës së Re, plot një muaj më parë.

Plot 2 vjet pasi kishte nisur zyrtarisht hetimi për të, ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në 19 Nëntor do të shpallej nga Gjykata e Krimeve të Rënda fajtor për shpërdorim detyre, edhe pse u akuzua si bashkëpunëtor në grupin e Habilajve, që trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Akuza që u provua për ish-Ministrin e Brendshëm ishte shpërdorimi i detyrës, në kushtet kur sipas gjykatës nuk ishin marrë masa për parandalimin e kanabizimit dhe përfshirjen e punonjës të policisë në këtë veprimtari. Tahiri u dënua me 5 vite burg në total, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, atij iu ul masa e dënimit me 3.4 vite burg dhe në përfundim iu konvertua në 3 vite shërbim prove. Po ashtu ish-Ministri nuk duhet të ushtrojë poste publike për tre vite. Tahiri e konsideroi absurd dhe qesharak dënimin e dhënë nga Gjykata dhe tashmë çështja ka përfunduar në Apel.

Viti 2019 u cilësua si viti i drejtësisë së re, veç vettingut që krijoi me dhjetëra vakanca në të gjitha institucionet e drejtësisë, fundi i 2019, pas 2 vjetësh me Prokuror të përkohshëm të Përgjithshëm solli zgjedhjen e kreut të ri të akuzës. Për një mandat 7-vjeçar, ky institucion do të drejtohet nga 5 Dhjetori, nga Olsian Çela.

Në 12 Dhjetor, pas dy vjet hetimesh, dosja e Lulzim Bashës për kontratat e lobimit në SHBA përfundoi në gjykatë. Hetimet nisën pas një shkrimi të revistës amerikane ‘Mother Jones’, e cila hodhi dyshimin se Partia Demokratike i kishte paguar 650 mijë Dollarë për lobim në SHBA kompanisë ‘Muzin Capitol Partneres’, në pronësi të shtetasit Nik Muzin, nëpërmjet kompanisë offshore ‘Biniata Trade’, pas të cilës qëndrojnë dy biznesmenë ruse.

Hetimet u mbyllën në 7 Nëntor, vetëm për akuzën e falsifikimit të formularëve, duke rrëzuar atë të pastrimit të parave. Kjo solli përplasje të forta mes prokurorëve Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako nga njëra anë dhe kolegut të tyre Kolë Hysenaj. Ky i fundit kërkoi zgjatjen e hetimeve me qëllim që të merrej në pyetje shtetasi amerikan Nikol Muzinë, por dosja përfundoi në gjykatë dhe më 8 Janar do të jetë gjykatësi paraprak që do të vendosë për fatin e saj.

E shumëpritura, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, që do të hetojë zyrtarët dhe ish-funksionarët e lartë u bë funksionale këtë fundvit, në 19 Dhjetor, duke rritur shpresat se drejtësia do të nisë të funksionojë. Edhe pse për 2 prej anëtarëve të SPAK-ut, kryetarin dhe kandidatin për kreun e kësaj strukture nuk munguan akuzat e politikës.

Pas përplasjeve të forta të Presidentit me shumicën, pikërisht për drejtësinë e re, në 25 Nëntor, Meta lajmëroi protestë popullore në sheshin e Qytetit Studenti, 29 vjet pas protestës studentore, në 8 Dhjetor.

Por natyra prishi shumë plane, përfshirë dhe atë të kreut të shtetit.

Në 26 Nëntor, një goditje sizmike e fuqisë 6.3 e shkallës Rihter, në orën 03:54 minuta, me epiqendër në Adriatik, 9 kilometra larg Durrësit, do të ndryshonte rrjedhën e jetës, jo vetëm në rajonet ku goditja ishte fatale, por në të gjithë vendin.

51 njerëz humbën jetën, me mijëra mbetën të pastrehë, ndërsa afro 2000 të tjerë mbetën të plagosur.

Por fatkeqësia tregoi një dimension të jashtëzakonshëm njerëzor solidariteti të gjithë rajonit të Ballkanit, i cili deri në atë datë ishte njohur në histori si epiqendra e konflikteve e luftërave shekullore.

Por jeta vazhdon dhe për t’u ringritur qeveria premtoi një projekt rindërtimi, ndonëse fatura financiare ende nuk është gati. Për  programin e rindërtimit, Kryeministri shtoi dhe një tjetër post ministror, duke risjellë në kabinetin e tij atë që e shkarkoi si Ministër Financash në fillim të vitit, Arben Ahmetajn.

Vetë Kryeministri, në mesazhin e tij të fundvitit premton se 2020 do të jetë viti i shërimit të plagëve që la viti që sapo lamë pas.

Tv Klan



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi