Nipi i vrau gruan, bashkëshorti emigrant rrëfen mes lotësh momentin kur e pa në morg

Nipi i vrau gruan, bashkëshorti emigrant rrëfen mes lotësh momentin kur e pa në morg

14:08 13/01/2020

“Më thanë mos e prek trupin, vetëm e preka në ballë…”

Një ngjarje makabër ka tronditur opinion publik në ditët e para të vitit 2020. Drita Saliaj, 50 vjeçe, mbeti e vrarë gjatë një tentative grabitjeje të ndodhur në shtëpinë e saj në fshatin Gjerbës, më datë 5 Janar. Autorë të kësaj ngjarjeje të rëndë janë nipi 16-vjeçar i gruas, (djali i vëllait të burrit), dhe dy shokët e tij të moshës 16 dhe 26 vjeç.

Sipas njoftimit të policisë, ajo ka bërë rezistencë, ndaj dhe 3 autorët e kanë lidhur këmbë dhe duar me litar dhe e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës, që ndodhet rreth 7 kilometra larg shtëpisë ku ndodhi ngjarja, nga ku është nxjerrë nga polumbarët e forcave RENEA. Drita jetonte e vetme, pasi bashkëshorti dhe dy djemtë ishin emigrantë në Greqi, ndaj dhe ngjarja është denoncuar të hënën, ndërsa trupi i saj u gjet të martën.

Për këtë ngjarje emisioni “Historia ime” në Televizionin Klan kanë realizuar një reportazh në këtë fshat, në lidhje me ngjarjen e ndodhur. Gazetarja Eriselda Martini ka intervistuar bashkëshortin e saj, Hair Saliaj, i cili mes lotëve është shprehur se, për shkak se nuk po mund të kontaktonin me të përmes telefonit ishin alarmuar, së bashku me fëmijët. Por lajmi që morën më pas i shokoi dhe u shkaktoi dhimbjen më të madhe.

Gazetarja: Si e morët vesh ngjarjen?

Hair Saliaj: Unë u shokova për ngjarjen, pasi kur e dëgjova isha në Kretë. Pasi telefonoja gjithmonë, flisnim. Atë natë, e gjeta telefonin të mbyllur.

Gazetarja: Në datën 5 ka qenë?

Hair Saliaj: Po! E marr në telefon djalin dhe i them. Edhe unë më thotë djali nuk po më hapet telefoni. Pasi merr lajmin djali nga vëllai im i madh, Iljazi, më njofton menjëherë dhe më thotë: Xhaxhai thotë të nisemi menjëherë në Shqipëri se dera del e mbyllur dhe nuk përgjigjet njeri. Atëhere nisem menjëherë, mbërrita menjëherë dhe më merr nipi, djali i motrës dhe më thotë trupi u gjend dhe ndodhemi në morgun e Fierit. Aty i them më prit dhe mos ikni pa ardhur unë. Vij në Fier dhe u thashë: Do më lejoni të shoh bashkëshorten si është masakruar.

Gazetarja: Moment i vështirë…

Hair Saliaj: Po! S’ka fjalë ta përshkruaj. Më thanë mos e prek trupin, vetëm e preka në ballë, e shikoja nga fytyra s’kishte ndonjë shenjë. Vetëm kërkoj drejtësi.

Gazetarja: Ju iknit vazhdimisht në Kretë? Punonit aty?

Hair Saliaj: Po. Kam shkuar shumë herë dhe e kam lenë dhe shumë herë vetëm.

Gazetarja: Drita qëndronte në shtëpi?

Hair Saliaj: Po. Shumë herë vetëm dhe nuk kam pasur probleme me asnjë familje. S’kam gërvishtje me asnjë familje dhe nuk kishte frikë. Nuk më kishte shprehur asnjë diçka nga asnjë person, asnjë familje, as nga të afërmit e mi këtu.

Gazetarja: Për Vitin e Ri nuk ishit në shtëpi?

Hair Saliaj: Jo nuk ishim.

Gazetarja: Nuk arritët ta festonit sëbashku?

Hair Saliaj: Jo!

Gazetarja: Si ka qenë telefonata e fundit?

Hair Saliaj: Mirë ishte dhe i kam thënë të vij? Ke ndonjë frikë apo ftohtë? Jo më tha, bëj ato pak punë që ke, vetëm fol me fëmijët. Me fëmijët flisnim.

Gazetarja: Si do ta mbanit mend bashkëshorten tuaj?

Hair Saliaj: Unë do të them një bashkëshorte e mirë, një nënë e mirë për fëmijët, e urtë dhe jo problematike si njeri.

Gazetarja: Sa vite martesë kishit bashkë?

Hair Saliaj: Jemi martuar në 10 shtator të ’89.

Gazetarja: I bie dy dekada bashkë?

Hair Saliaj: Po patjetër, rreth 30 vjet. Kemi djalin e madh pothuaj 28 vjeç. Dy fëmijë kam, i vogli është 24 vjeç./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi