Veliaj: Do të ofrojmë dhe transportin urban

Në Vaqarr të Tiranës ka nisur puna për ndërtimin e lagjes së re ku do të strehohen familjet e zonës, të cilave u janë dëmtuar banesat nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ish-Poligoni i vjetër i Forcave të Armatosura do të kthehet në qendrën e Vaqarrit.

“Duam që e gjithë zona, ku më parë ka qenë ish-Poligoni i vjetër i Ushtrisë, të kthehet në qendrën e Vaqarrit. Është shumë pranë ish-Komunës, është ngjitur me shkollën e mesme dhe 9-vjeçare, m’u përballë kopshtit, ku do të jetë lagjja e re me 45-50 shtëpi që kryeministri tashmë është në procesin e porositjes dhe që do të jetë modeli i parë i ndërtimit pas tërmetit”, thotë Kryebashkiaku Veliaj.

Lagjes së re do t’i ofrohet edhe shërbimi i transportit publik urban.

“Ajo që kemi vendosur është që linja e Kombinatit të shtojë një stacion, pra nuk do të përfundojë në Kombinat, por në çdo orë një prej autobusëve do të vijë deri në Vaqarr, në mënyrë që Vaqarri të përfshihet realisht si një lagje e Tiranës, e të mos quhet më fshat i dorës së dytë”.

Veliaj shton se kjo lagje e re do të kthehet në një etalon që mund të aplikohet edhe në Thumanë, Durrës, Shijak, Kavajë, Lezhë, e kudo tjetër ku ka nevoja.

Tv Klan