Trupat ruse nisën tërheqjen e pjesshme nga Siria pas vendimit të papritur të presidentit rus, Vladimir Putin i cili nuk caktoi një afat për largimin e tyre.

Kjo video e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse tregon grupin e parë të avionëve që lënë  bazën e Hmeimim-it, nga provinca e Latakias mëngjesin e së martës.

Megjithatë Rusia do të vazhdojë sulmet ajrore në Siri, ku do të qëndrojnë disa qindra ushtarë si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Zyrtarët perëndimorë mirëpritën, pa eufori vendimin e beftë të Presidentit rus, duke shpresuar se ajo do të këtë ndikim në Damask, për tu angazhuar në bisedimet e paqes, që synojnë të zgjidhin konfliktit 5 – vjeçar në Siri.

Rusia është një prej aleatëve më të ngushtë të Presidentit sirian, Bashar Al Asad dhe zyra e tij kundërshtoi spekullimet se vendimi i Vladimir Putinit dëshmon një përplasje mes vendeve, duke thënë se “Moska dhe Damasku ishin marrë vesh mes tyre”.

Fushata e Rusisë nisi shtatorin e vitit të kaluar, duke iu përgjigjur kërkesës së qeverisë siriane. Sipas ministrisë së Mbrotjes ruse, gjatë kësaj periudhe janë kryer 9000 misione në ajër, u shkatërruan 209 objekte të prodhimit të naftës dhe të transportit si dhe u ndihmua ushtria siriane për të marrë nën kontroll 10 mijë metra katrorë të territorit sirian.

Tv Klan