Nis vaksinimi anti-Covid për moshën mbi 50 vjeç




Nis vaksinimi anti-Covid për moshën mbi 50 vjeç

15:41 21/06/2021

Manastirliu: Mbi 1 mln doza kanë mbërritur në Shqipëri

Prej të hënës fasha e të vaksinuarve ka zbritur në 50 vjeç. Qytetarët e Tiranës i janë drejtuar qendrës më të madhe të vaksinimit në vend, atij në  sheshin “Skënderbej”. Krahas vaksinimit për dozë të parë, paralelisht kryhet edhe doza e dytë ku po përdoren vaksinat Pfizer, Astra Zeneca dhe Sinovac.

“Vij për dozën e parë. Më tha mjekja e familjes shko atje dhe erdha”

“Erdha për dozën e parë sepse doja kinezen”

“Unë do bëj  dozën e dytë sepse të parën e kam bërë”

Teksa pa nga afër procesin e vaksinimit , ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se me mbërritjen e të tjera dozave vaksinë, do të zbresë fasha e të vaksinuarve.

“Hapim fashën 50-59 vjeç, duke filluar nga grupmosha më e lartë dhe më pas në rend zbritës, për të mundësuar që të gjithë ata që janë më të riskuar, të vaksinohen sa më herët. Ky është një organizim i cili është duke u bërë nga mjeku i familjes. Por të gjithë ato qytetarë që i përkasin kësaj fashe grupmoshe mundet edhe të aplikojnë pranë portalit e-Albania, për të rezervuar ditën e vaksinimit të tyre. Në çdo rast, mjeku i familjes do t’i njoftojë qytetarët për vendin dhe orën e vaksinimit”.

Në bazë të kalendarit të shpërndarjes, në mbrëmje do të vijnë edhe mbi 11 mijë vaksina Pfizer.

“Bashkë me 100 mijë vaksinat Coronavac që mbërritën këto ditë, deri tani janë mbi 1 milion e 60 mijë vaksina të mbërritura në vend, ndërsa sot presim sërish mbi 11 mijë vaksina Pfizer”, tha Manastirliu.

Deri tani në Shqipëria ka marrë mbi 1 mln vaksina anti-Covid. Prej fillimit të procesit të vaksinimit në muajin Janar, në total janë kryer mbi 881 mijë  vaksinime, dhe afro 370 mijë qytetarë i kanë marrë të dyja dozat.

Tv Klan





Të ngjashme