Haxhi: Të ketë konfidencialitet, mos ulet pagesa e detyrimit

Nisma për amnistinë e kapitalit e prezantuar nga Kryeministri Edi Rama, gjen mbështetje mes ekspertëve të fushës, si një model i cili vendos një vijë ndarëse mes periudhës formale dhe informale të historisë së Shqipërisë.

Elton Haxhi, ish-zv/ministër i Financave, thotë se në qeveri po punohet prej disa muajsh mbi këtë projektligj dhe janë duke u studiuar modele ndërkombëtare, të cilat janë bërë në Kanada dhe Australi të mbështetura në formatet që ka mbi këto nisma OECD, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Ai thotë se formate të tilla janë të mbështetura nga organizata ndërkombëtare, përfshi Fondin Monetar dhe Bankën Botërore nëse respektohet parimi që barra tatimore që duhet të paguajë të mos jetë më e ulët se ajo që kanë paguar taksapaguesit e rregullt, por incentiva të jetë nxitëse për deklarimin e pasurive, duke fshirë gjobat, kamatat dhe akuzat penale.

Në këto momente Haxhi thekson që një amnisti e tillë të bëhet përpara se të hyjnë në fuqi efektet e ligjit të shkëmbimit automatik të informacionit, ku Shqipëria jep dhe merr informacion për pasuri që janë edhe në vende që konsiderohen si parajsa fiskale.

Ekspertët insistojnë që amnistia të ruajë kofidencialitetin e personit që deklaron pasurinë në mënyrë që të mos ketë rrezik hetimi apo hyrjes në sistemin e riskut të tatimeve, ndërsa thonë se ligji duhet të eleminojë personat që janë dënuar apo janë aktualisht nën hetim. Deri tani qeveria nuk ka vendosur se sa do të jetë shkalla tatimore që do të paguhet për paratë e padeklaruara, por diskutimet janë që barra e tatimit të jetë 5%.

Tv Klan