Rënia e shpejtë e inflacionit ka vijuar ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Në konferencën e përmuajshme guvernatori, Gent Sejko u shpreh se ekonomia po performon mirë e nxitur nga konsumi në rritje, duke mbajtur ende të pranishëm rrezikun nga inflacioni i importuar.

“Projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Përditësimi i parashikimeve sugjeron se vëllimi i aktivitetit ekonomik do të rritet më tej, ndërsa inflacioni do të luhatet pranë objektivit tonë prej 3%.”

Sejko bëri të ditur se politika monetare mund të shkojë drejt uljes së normave të interesit në rast se ka tregues të stabilitetit të çmimeve.

“Mendojmë që do të fillojmë me një lehtësim të politikës monetare gjithmonë në varësi të shifrave sepse ka gjithmonë të papritura. Nëse do të kemi shifra më të ulëta inflacioni, natyrisht që do të reagojmë.”

Që nga Marsi i vitit 2022, kur filloi shtrëngimi i politikës monetare si një mekanizëm për të luftuar inflacionin, Banka e Shqipërisë e ka rritur normën bazë 6 herë nga niveli minimal historik 0.5%.

Klan News