Marrëdhënia midis një babai dhe një vajze është shumë e ngushtë. E tillë ka qenë edhe lidhja e këngëtares Silva Gunbardhi më babanë e saj të ndjerë. Këngëtarja ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku përveçse lançoi këngën e saj më të re të titulluar “Babai”, foli edhe për marrëdhënien me babanë e saj të ndjerë.

“Marrëdhënia ime me babanë ka qenë shumë e ngushtë. Babai ka qenë shoku im i parë, ka qenë një figurë autoritare, por edhe shumë e butë. Babai im ende gëzon reputacion ende në qytetin e Vlorës, në vendin ku ka punuar dhe kjo e bënte atë autoritar në sytë e mi, por edhe shembull për t’u ndjekur. Ne në Vlorë kemi pasur një shtëpi shumë të vjetër, çfarë ishte jashtë binte brenda. Nuk kam për ta harruar momentin kur babai im ishte në momentet e fundit të jetës dhe ishte i shtrirë në një krevat që unë e kisha blerë me rrogën time të parë kur punoja në teatrin “Petro Marko”. Duke qenë se ai kishte probleme me shtyllën kurrizore sepse qëndronte shtrirë i thashë të flinte në atë krevat. Iu bë qejfi, por nuk më tha po në moment. Kur u shtri aty pashë në sytë e tij sikur u lehtësua. Nuk e harroj kurrë vështrimin e tij. Në atë kohë nuk kishim shumë mundësi, por kemi qenë familje që gëzonim respekt dhe këtë e kam vlerësuar. Babai na ka rritur me shembull shumë të mirë, respektin nuk e bën paraja. Kujtoj shëtitjet me motor me babanë tim, ai më ka mësuar të mos kem frikë. Mbaj mend që kur unë nuk merrja nota të mira, ai mërzitej. Pasi humbëm babanë, unë nëna dhe vëllai im u zhvendosëm në Tiranë”,

tha këngëtarja.

/tvklan.al