I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ka qenë mjeku i njohur dhe ish-ministri i Shëndetësisë Leonard Solis i cili është një njeri mjaft human dhe i përkushtuar ndaj profesionit të tij. Ai prej vitesh është drejtues mjekësor i një spitali privat në vend dhe ka qenë për dy mandate Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Shqipërisë. Solis punon me shumë dashuri dhe gjithmonë është i gatshëm t’i gjendet pranë çdo miku apo çdo personi që është në nevojë.

Kur del nëpër intervista ai përpiqet që të flasë vetëm për aktualitetin apo tema që lidhen me profesionin e tij dhe të anashkalojë jetën private apo të flasë për veten e tij.

Moderatorja Rudina Magjistari ka këmbëngulur që ai të flasë më shumë për jetën personale dhe familjen e tij duke e lënë mënjanë profesionin si mjek, por ai gjithmonë i anashkalon pyetjet që kishin të bënin me jetën private dhe flet për temën më aktuale në vend, për pandeminë e Covid-19. Duke e njohur mjaft mirë tipin e mjekut, Magjistari kishte përgatitur disa videomesazhe nga familjarët e tij, bashkëshortja, vajza dhe djali.

Kur u shfaq bashkëshortja e tij në ekran u habit dhe pyeti si ka mundësi që të ndodhë diçka e tillë. Bashkëshortja e tij e konsideron  Leonardin si një njeri human dhe me vlera që janë të rralla të gjendet tek njerëzit e ditëve të sotme. Ajo shprehet se ka bërë sakrifica të mëdha gjatë pandemisë së Covid-19, i ka qëndruar pranë miqve, shokëve dhe njerëzve të tjerë që kishin nevojë për ndihme dhe telefoni i tij nuk pushon kurrë. Ai përpiqet që të japë mbështetjen dhe këshilla tek të gjithë. Ndër të tjera ajo shton se kanë krijuar një familje mjaft të bukur dhe kanë dy fëmijë që i kanë bërë shumë krenarë. Më pas moderatorja e ka pyetur sërish se si është ai si prind.

Rudina Magjistari: Si do e përshkruani ju veten si prind?

Leonard Solis: Prind që nuk u kam bërtitur kurrë fëmijëve. Kam qenë gjithmonë pranë tyre, jam i butë, gruaja ka qenë pjesë më e ashpër në shtëpi, më autoritare kurse unë më floid.

Rudina Magjistari: Ne kemi sot një mesazh nga Maria Solis për babain e saj Leonard Solis.

Leonard Solis: Këto emisione do ishin mirë pas vdekjes. 

Maria Solis: Përshëndetje Rudina, përshëndetje babi faleminderit që më dhatë mundësinë për ta surprizuar dhe për t’i falur sado pak momente pozitive babit tim përmes kësaj video. Në fakt babi është një person shumë humanitar, gjithashtu duke e parë atë nga ana atërore në lidhje me mua, ndihem një femër shumë me fat dhe një vajzë shumë me fat që jam rritur nga një baba si Leonardi pasi është një person i cili të jep shumë dashuri, shumë vëmendje, shumë përkushtim.

Do thoja është personi i cili nuk fle gjumë nëse jemi diku, apo vonohemi darkave, është pikërisht personi që duhet të kyçë derën në darkë dhe të jetë që i qetë që ne jemi të sigurt dhe në shtëpi. Dua ta falenderoj shumë dhe jam mirënjohëse për çfarëdo lloj gjëje që ka bërë për mua, jam shumë me fat që e kam përkrahë, i them që e dua shumë dhe e përshëndes shumë.

Leonardi u vu tepër në siklet dhe u habit kur vajza e tij po i përcillte një mesazh kaq të ndjerë publikisht. Ai filloi të prekej shumë dhe zënë kokën me dorë dhe duke thënë obobo. Djersët filluan t’i rridhnin edhe më shumë dhe Rudina Magjistari i ofroi disa kartopeceta për t’i fshirë. Solis ndërkohë që dëgjonte vajzën ishte mjaft i prekur dhe në fund të videomesazhit shprehet se është një baba i përkushtuar si të gjithë shqiptarët e tjerë.

Rudina Magjistari: Gjithmonë ai babai i merakosur që po nuk i qenë kthyer fëmijët në shtëpi nuk e zë gjumi natën.

Leonard Solis: Si të gjithë prindërit shqiptarë dhe familja shqiptare prapë ngelet e fortë me gjithë rritjes së numrit të divorceve, prapë karakteri shqiptar dhe familja shqiptare ngelet si të gjithë të tjerët.

Rudina Magjistari: Nga ndryshon marrëdhënia me vajzën në raport me marrëdhënien e djalit?

Leonard Solis:  Jo nuk i ndaj dot. Epo nuk flas dot për këto se nuk jam mësuar të flas.

Rudina Magjistari: E shoh prandaj do flasin familjarët tuaj, e kemi sjellë në këtë formë sepse e dinim që ju nuk doni të flisni asnjëherë për veten dhe prandaj po e marrim rrëfimin e zotit Solis nëpërmjet familjarëve të tij.

Një videomesazh i ka përgatitur dhe djali i tij Foto i cili ka zgjedhur të ecë në gjurmët e të atit dhe të bëhej mjek. Ai studion dhe punon si mjek okulist në Gjermani.

Foto Solis: Nuk jam një person shumë emotiv apo që shprehem shumë, kështu që realizimi i kësaj video ishte diçka shumë sfiduese për mua. Megjithatë po mbaj këtë mundësi që të shpreh disa gjëra. Dua të ndalem në dy pika që janë pak më personale për mua, në radhë të parë është mirënjohja, i jam shumë mirënjohës jo vetëm atij por edhe mamit tim sepse të dy më kanë mbështetur dhe suportuar gjatë rrugëtimit tim. I jam mirënjohës dhe i falenderoj sepse fatkeqësisht sot e kësaj dite e shoh se merret si diçka shumë e mirëqenë ndihma që merret nga prindërit.

 Përsa i përket pikës së dytë dua ta përgëzoj dhe t’i them babit që e vlerësoj shumë një veti që ai ka që unë e shoh si diçka shumë të rëndësishme përsa i përket sferës akademike dhe ai është kurioziteti. Është një person vërtet shumë kurioz, do t’i lexojë gjërat jo vetëm për hir të të lexuarit, por do të dijë si dhe pse funksionojnë gjërat në atë mënyrë që funksionojnë dhe për mendimin tim kjo bën gjithë diferencën.

Rudina Magjistari: Djali është shumë bukurosh, kujt i ka ngjarë?

Leonard Solis: Mamasë, kur më pyeti Fatos Nanoja një herë, kujt i kanë ngjarë fëmijët dhe i thashë të tre i ngjajmë Djanës se kur rri 20 vjet martuar ngjan me gruan. /tvklan.al