Meshkujt, të përfshirë më shumë në dhunë fizike

Ngacmimet kibernetike janë një fenomen shqetësues në rritje. Sipas një studimi të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë 1 në 6 adoleshentë kanë përjetuar ngacmim kibernetik, qoftë bullizëm apo edhe dhunë psikologjike. Kështu nga viti 2018 deri në vitin 2022 të dhënat tregojnë një rritje shqetësuese të bullizmit kibernetik, nga 11% në 14% tek djemtë që ngacmojnë të tjerët dhe vajzat nga 7% në 9%.

Gjetjet zbulojnë dallime gjinore në sjelljen ngacmuese. Kështu djemtë shfaqin një tendencë më të lartë ndaj agresionit dhe përfshirjes në përleshje fizike, duke nënvizuar nevojën urgjente për ndërhyrje të fokusuara në rregullimin emocional dhe ndërveprimet pozitive sociale.

Sipas ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më rritjen e kohës në internet nga adoleshentët, shifrat nxjerrin në pah nevojën urgjente për ndërhyrje që përfshijnë edukatorët, prindërit, drejtuesit e komunitetit dhe politikë-bërësit për të nxitur arsimimin dhe sigurinë dixhitale.

Ky fenomen në rritje po vihet re edhe në Shqipëri. Me synimin për të mbrojtur figurën e gruas dhe të miturve, një grup deputetesh të Kuvendit të Shqipërisë kanë ndërmarrë nismën për të kriminalizuar veprën e bullizimit online. Por për penalistët kjo do të cenonte parimin e sigurisë juridike dhe liria e shprehjes.

Tv Klan