42 testime të gjitha rezultuan negative

Shqipëria nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus. Drejtori i Organizatës Botërore në Shqipëri Raul Gonzales, ka siguruar se vendi ynë i disponon të gjitha kapacitetet për ta izoluar virusin në momentin që shfaqet në popullatë.

“Ne duhet t’u besojmë institucioneve, duhet t’u besojmë kaciteteve të laboratorit të ISHP, ata janë të certifikuar dhe ne jemi të bindur për punën që bëjnë. Nëse do të ketë raste, ato do të zbulohen, të jeni të sigurt. Sa i takon pse nuk ka raste, asnjë s’e di, ne po mësojmë akoma, sapo kam ardhur nga vendi im Spanja, ku u zbulua se një person i cili ndërroi jetë me koronavirus dy javë më parë nuk kishte qenë kurrë në Itali apo në Kinë”.

Në shërbimin e Urgjencës Kombëtare vijon të shtohet numri i thirrjeve që kanë lidhje me koronavirusin.

Kemi skeduar 694 raste me skedën korona. Dhe 42 rastet e dyshuar me COVID ishin prej tyre por rezultuan negative”, u shpreh Skënder Brataj i Urgjencës Kombëtare Mjekësore.

Shërbimi urban dhe interurban mbeten një nga vendet ku ka grumbullime masive, ndaj edhe Ministria e Shëndetësisë e ka shtrirë planin e masave higjieno-sanitare dhe në këtë shërbim.

“Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar me një shkresë edhe bashkive dhe shërbimit të Aviacionit Civil të rrisin masat higjieno-sanitare në linjat urbane dhe linjat e avionëve. Çdo masë e tillë, duke nisur nga higjiena personale është shumë e rëndësishme për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri”, tha ministrja Ogerta Manastirliu.

Spitali Infektiv, sakaq ka gati 80 shtretër ku do të trajtohen rastet e dyshuar apo te infektuarit me koronavirus.

Tv Klan