Mes të arrestuarve nga autoritetet italiane janë edhe 27 shqiptarë

Një operacion ndërkombëtar i drejtuar nga Italia dhe i zhvilluar në disa vende të Europës ka vënë në pranga 55 persona, mes të cilëve 27 shqiptarë, 23 nigerianë, 4 italianë dhe 1 shtetas nga Gambia.

Ata akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas mediave italiane, droga nisej nga Vlora me destinacion brigjet italiane.

Pasi ngarkesa mbërrinte në Itali, hynin në lojë grupet nigeriane, të cilat merreshin me transportin nëpër zonat e tjera italiane.

Operacioni u zhvillua njëkohësisht në disa vende; në Breshia, Modena, Macareta, Xhenova, Parma, Reggio Calabria, në qytetin e Koten në Gjermani dhe në Vlorë ku u arrestuan 5 persona.

Hetimet janë kryer nga Anti-Mafia italiane dhe vlerësohet se organizata kriminale ka trafikuar tonelata kanabisi gjatë periudhave të ndryshme kohore. /tvklan.al