Të ftuar në Opinion: Agron Gjekmarkaj, Artur Zheji, Agim Baci, Armand Shkullaku, Artan Hoxha, Arben Ristani dhe në lidhje direkte Iris Luarasi.

Sali Berisha reagon duke ndjekur “Opinion”: Po të hyj me ushtarë e nxjerr Bashën me këpucë të kuqe

Sali Berisha ka reaguar në rrjetet sociale pas debatit në “Opinion” ku po diskutohet tema “Interesi i Ramës, me Bashën apo Berishën?”. Berisha i ka kthyer përgjigje akuzave se ka lidhje me krimin dhe thotë se tani po merret më fuqishëm se kurrë në jetën e tij me botën e krimit.  

Ish-Kryeministri shprehet se tani është përqendruar për t’u marrë me “organizatën kriminale që ka goditur pluralizmin politik”. Dhe kjo sipas Berishës përbëhet nga Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Lideri historik i demokratëve tha se Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha më 18 Dhjetor është ideuar nga Rama.

Berisha shprehet i bindur se Kuvendi do të zhvillohet më 11 Dhjetor dhe nuk është i përjashtuar as Basha.

Postimi i plotë i Berishës:

Duke ndjekur Opinion!

Miq, lidhur me akuzat e Kreut të Meduzës dhe peng Bashës për heshtjen time ndaj krimit madje lidhje të pretenduara prej tyre, shtoj sa vijon:

Unë tani po merrem më fuqishëm se kurrë në jetën time politike me botën e krimit. Me kreun e Meduzës dhe pengun e tij, Lulzim Basha, krimi ka hierarkinë e tij. Askush nuk është marrë më shumë se unë me kreun e meduzës dhe ushtarët e tij. Por tani përqendrimi im është total në organizatën me kriminale në Shqipëri, Ballkan dhe Europë që ka goditur pluralizmin politik dhe ky klan është klani Rama dhe “peng-Basha”. Ky i fundit gabon, se po të hyj pastaj me ushtarë e nxjerr me këpucë të kuqe.

Tani po merrem me balozët e krimit monstruoz politik. A ka krim më të shëmtuar sesa të zëvendësosh pluralizmin politik me pseudo pluralizmin apo fasad pluralizmin. Uragani “foltore” shkatërroi projektin e tyre të shëmtuar. Shfrytëzoj rastin të përshëndes kryetarët e degëve, 20 prej të cilëve bojkotuan mbledhjen e “peng-kryetarit” 30 prej tyre hodhën poshtë me heshtje kërkesat e pengkryetarit për antimitingun e datës 18 Dhjetor ngjarja më e turpshme në 30 vite pluralizëm. Unë i përgëzoj ata. Janë dhe do jenë të respektuar.

Natyrisht pati një grup të vogël i cili mbajti qëndrim pro Bashës, por kjo nuk i pengon ata të jenë të pranishëm në Kuvendin e datës 11 Dhjetor. Nuk besoj t’i lejojnë vetes turpin historik, të bashkohen me antimitingun e shoqatës Basha-Bardhi të ideuar nga Kreu i Meduzës. Me datë 11 Dhjetor PD ngrihet më e fuqishme se kurrë. Nuk janë të përjashtuar as Basha dhe as Bardhi. Ata do të krijojnë Shoqatën Basha – Bardhi për t’i bërë fresk kreut të Meduzës! Sb

Prindërit e Mateos mbledhin 5 mijë firma, gazetarja: Ishin përgatitur dhe të bindur për ta vrarë në dyert e gjykatës

Prindërit e Mateo Vasiut kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje. Iniciativën e nisën këtë të enjte, pasi qëndruan për disa orë para gjykatës së Fierit ku prisnin vrasësin e djalit të tyre 8-vjeçar. Në një lidhje direkte në emisionin Opinion, gazetarja Anila Sefa tregoi se familjarët e Mateos kishin qenë të përgatitur në dyert e gjykatë për të vrarë Klodian Çalamanin. Por kur masa për këtë të fundit u dha në mungesë për shkak të tensioneve që u krijuan në dyert e gjykatës, atëherë ata ndërmorën iniciativën e firmosjes së peticionit për të kërkuar në shteti rikthimin e dënimit kapital. Kjo nismë sipas gazetares deri më tani është shtrirë në 5 qytete dhe janë rreth 5 mijë qytetarë që kanë firmosur. Pritet që peticioni i prindërve të Mateos të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Sefa tha se ata shpresojnë që brenda 3 ditëve të kenë mbledhur mjaftueshëm firma për t’ia dërguar më pas Kryeministrit dhe Kuvendit.

E kujt ishte iniciativa për mbledhjen e firmave për rikthimin e dënimit me vdekje?

Iniciativa nisi menjëherë në dyert e gjykatës së Fierit, nga familjarët e Mateos së vogël 8-vjeçar. Në momentin që ata kanë pritur vrasësin për masën e arrestit dhe ka pasur edhe tension, por pasi janë bindur masa e arrestit u dha në mungesë menjëherë ka qenë një vendim i papritur i familjarëve për të kërkuar dënimin me vdekje. Ju keni parë gjatë ditës sot aty kanë qenë të pranishëm prindërit, të afërm, familjarë, banorët të të gjithë fshatit Grecalli, kanë qenë një pjesë e madhe e qytetarëve të Fierit. Më pas në kor është kërkuar dënim me vdekje në çfarëdolloj mënyrë qoftë. Ata kërkojnë patjetër dënimin me vdekje, në të kundërt janë shprehur nëna dhe babai i Mateos, ne do të hakmerremi vetë. Madje në dyert e gjykatës së Fierit, ashtu siç nuk kishte ndodhur më parë, ishin përgatitur dhe të bindur për të vrarë autorin e vrasjes së djalit të tyre.

Më pas peticioni është shpërndarë në të gjithë qytetet e vendit, kryesisht Fier, Lushnje, Vlorë dhe Berat, janë mbledhur një numër i madh firmash. Madje edhe në këto momente ende familjarët vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin e fierit dhe të kërkojnë mbledhjen e firmave.

Keni një informacion sa firma janë mbledhur deri më tani?

Unë kam pyetur familjarët dhe më kanë bërë me dije që të paktën deri më tani kanë mbledhur 5 mijë firma. Janë të shumtë qytetarët që i drejtohen, nuk ka pasur asnjë refuzim për të mos hedhur firmën, Madje krahas emrit mbiemrit dhe firmës është shënuar edhe numri i kartës së identiteti të çdo personi që firmos në ato letra. Janë të shumta reagimet dhe pothuajse i gjithë opinioni publik është në një mendje që të rikthehet dënimi me vdekje.

Po e shtrijnë në të gjithë Shqipërinë peticionin?

Është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Të paktën 5 qytetet që janë në kufi me Fierin janë mbi 1 mijë firma. Në Fier po vazhdon, madje nesër do të vazhdojë dhe do vijnë edhe në Tiranë. Ata pretendojnë që brenda 3 ditëve të mbledhin një numër të konsiderueshëm firmash dhe më pas i gjithë peticioni t’i drejtohet kryeministrit dhe parlamentit.

Ata kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje apo dënimin e autorit?

Familjarët në fakt janë të çorientuar për shkak edhe të asaj që i ka ndodhur. Ata kërkojnë vdekjen e autorit të krimit, por më pas janë qartësuar, siç duket kanë biseduar me persona të tjerë dhe orët që kalojnë i bëjnë më të vetëdijshëm për atë çka ka ndodhur: kërkuan rikthimin e dënimit me vdekje.

Fitorja e Bashës në 2011-n, flet Ristani: Kam përballuar kërcënime me vdekje për veten dhe familjen, ruhesha nga RENEA

Arben Ristani ka folur nga studioja e “Opinion” në lidhje me fitoren e Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranës në vitin 2011.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për të treguar se çfarë ndodhi në fitoren e ngushtë të Bashës në zgjedhje, Ristani, asokohe kreu i KQZ-së, tha se ka zbatuar ligjin. Sipas tij, vota në kutinë e gabuar është e ligjshme dhe kjo është futur në ligj pas praktikës që ai ka krijuar.

Ristani tha se ishin juristët e PD-së që u ankuan atëherë, ndërsa me Berishën ka pasur vetëm një takim kur ka ardhur së bashku me Audrey Glover. Për Bashën, Ristani tha se ka fituar si pasojë e mbështetjes nga LSI, mobilizimit ekstrem të demokratëve dhe se vetë kreu i KQZ-së asokohe ka përballuar kërcënimet deri me vdekje për vetën dhe familjen.

Blendi Fevziu: Ristani do më thuash një të vërtetë?

Arben Ristani: Patjetër!

Blendi Fevziu: Po të vërtetën?

Arben Ristani: Të vërtetën fare.

Blendi Fevziu: Shihe kamerën më thuaj të vërtetën se thonë që kur kalojnë 10 vjet parashkruhet dhe ajo. Respektove vërtetë ligjin atë kohë apo bëre ndonjë truk?

Arben Ristani: Në mënyrë absolute po!

Blendi Fevziu: Ke respektuar ligjin!

Arben Ristani: Sepse vota në kuti të gabuar është e ligjshme dhe është futur në ligj pas asaj praktike që unë krijova. Ai ishte një referencë direkt tek Kushtetuta dhe u kuptua që kishte…

Blendi Fevziu: Kush ta kërkoi ta bëjëe këtë interpretim?

Arben Ristani: Sigurisht që kërkesa ka ardhur nga juristët e PD se ata u ankuan dhe ata kishin verifikuar që kishte votë në kuti të gabuar.

Blendi Fevziu: Ndonjë telefon, ndonjë kështu jo?

Arben Ristani: Ju betohem që me Berishën kam pasur një takim kur ka ardhur Gloveri. Nuk kam pasur asnjë takim tjetër gjatë katër viteve kur kam qenë në krye të KQZ.

Agron Gjekmarkaj: Basha e ka mundur Ramën njëherë. Sapo e thatë ju më përpara që Lulzim Basha e ka mundur Ramën.

Arben Ristani: Unë nuk thashë këtë. Ajo që unë thashë është që unë kam zbatuar ligjin, por mënyra se si fitoi Basha është tjetër histori dhe demokratët e dinë.

Agron Gjekmarkaj: Na e shpjego atëherë.

Arben Ristani: Ka fituar sepse sigurisht kishte shumë vota të LSI, ka pasur një mobilizim ekstrem të PD dhe e treta unë kam përballuar deri në kërcënime me vdekje për veten dhe për familjen.

Agron Gjekmarkaj: Ju lumtë, kjo meriton respekt.

Blendi Fevziu: Kush ju ka kërcënuar me vdekje?

Arben Ristani: Unë kam qenë në atë kohë i rrethuar, jo vetëm unë por edhe familja. Kam qenë vetë në mbrojtje nga RENEA me makinë të blinduar, me familjen të rrethuar dhe të punosh në kushte të atilla nuk është gjë e lehtë. Për të zbatuar ligjin kam qenë dhe kam përballuar situata të tilla.

Gjatë foltores së Fushë-Krujës, edhe Sali Berisha ka treguar versionin e tij se çfarë ka ndodhur me fitoren e Bashës në Tiranë. Sipas Berishës, Basha ka qenë dakord që të mos numëroheshin votat e futura në kutitë e gabuara, por ka qenë vetë kryeministri asokohe që ka këmbëngulur sepse kanë qenë vota “që  i kanë hedhur demokratët shqiptarë”.

Në këtë mënyrë, lideri historik i demokratëve i ktheu përgjigje Bashës, i cili në një intervistë për mediat ka thënë se e fitoi garën pasi përjashtoi Berishën nga fushata.

A ka mundësi të rikthehet dënimi me vdekje?

Për të qenë pjesë e bashkësisë europiane, kusht për vendet është edhe heqja e dënimit kapital. Por kjo nuk është arsyeja e vetme përse shumë vende, përfshirë dhe Shqipërinë, tashmë e kanë hequr dënimin me vdekje. Në cilësinë e juristit, në studion e Opinion, Arben Ristani pranoi se ka mundësi ligjore për rikthimi i këtij dënimi, megjithatë ai u shpreh kundër tij duke argumentuar se ka shumë arsye përse është hequr.

Nëse personat mbledhin një numër të tillë firmash që mund të çojë në referendum, a ka shanse që referendumi ta kthejë?

Sigurisht që ka, por në dijeninë time, ka qenë edhe kusht nga Këshilli i Europës, pra për të qenë pjesë e bashkësisë europiane. Pavarësisht sentimentit të momentit, sepse ngjarja është vërtetë shumë e rëndë, ndoshta dhe nga kjo studio mund t’i ngushëllonim për sa mundemi familjarët, nuk veprohet në të tilla sentimente, sepse dënimi me vdekje ka shumë arsye përse është hequr.

Fjalën ‘të varet’ ‘të vritet’ e thonë gjithmonë kur ka vrasje makabre kudo në Shqipëri, por është hera e parë që ka nismë konkrete, pra janë duke mbledhur firma…

Unë personalisht jam kundër dënimit me vdekje, sepse raste të tilla, pavarësisht se ky është një rast i provuar përtej çdo dyshimi, por kini parasysh që po kaq të dhimbshme kanë qenë edhe rastet e kundërta kur janë dënuar në mënyrë të padrejtë me vdekje, njerëz që kanë qenë të pafajshëm. Kështu që për shumë arsye, njerëzit kompetentë, ata që janë marrë me këtë punë, kanë dalë në konkluzionin që nuk i takon shoqërive moderne që të…

Por ligjërisht, mund ta kërkojnë?

Ligjërisht mund ta kërkojnë, por sigurisht do të kesh një debat pastaj në kuadër të Këshillit të Europës./tvklan.al