Të ftuar: Arjan Harxhi, Pëllumb Pipero, Blerim Arapi, Rashela Shehu dhe Diana Toma. Lidhje direkte me Skype nga San Donato, Milano.

Sa aparatura ka Shqipëria për analizat e koronavirusit? Zbulohet e vërteta

Një ditë më parë, në debatin e mbrëmjes në emisionin “Opinion” në Tv Klan pati diskutime lidhur me numrin e aparaturave që ka Shqipëria për analizat e koronavirusit.

Për të zbuluar cili pretendim është i vërtetë, gazetarja e emisionit “Opinion” shkoi në repartin e Infektivit në ISHP për të parë nga afër aparaturat.

Specialistja tregoi dy aparatura, ndërsa një e tretë do të përdoret në rast se në një ditë bëhen më shumë se 1 mijë analiza.

“Janë dy pajisje të cilat kanë teknologji kimike. Kanë një teknologji të zbulimit të genomës virale apo dhe genomës bakteriale. Janë dy pajisje të cilat shërbejnë për diagnozën e disa nga patogenëve të cilët analizohen në laboratorin tonë, duke përfshirë dhe koronavirusin e ri”, tha specialistja.

Silvia Bino: Ky laboratori këtu lart është një laborator i cili përdoret për hepatitet dhe për HIV. Por në raste që ne do kemi më tepër mostra, pra mbi 500-1000 mostra, atëherë ne do të vëmë në shfrytëzim këtë laboratorin tjetër, i cili bën një numër më të kufizuar analizash dhe natyrisht sëmundjet respiratore janë ato që përhapen më shpejt. Prandaj dhe ky laborator do të vihet në funksion të epidemisë.  

Mjeku shqiptar në Itali: Simptomat e koronavirusit, të ngjashme me gripin normal

Mjeku kardiolog në Itali, Amarild Çuko, ka treguar se situata në Milano këtë të martë ka qenë pothuajse normale prej koronavirusit.

Gjatë një lidhje me Skype në emisionin “Opinion”, mjeku tregoi se Milano ndodhet pranë qytezave të cilat janë izoluar nga autoritetet për shkak të rasteve të shumta me Covid-19.

Ai theksoi se rasti i parë që u konfirmua me virusin është në Codogno, ndërsa ende nuk dihet pacienti zero.

Çuko tha se koronavirusi i ri është i ngjashëm me një grip normal. Moshat që prek më shumë janë ato të treta si dhe personat që vuajnë nga sëmundje të mëparshme.

Ai tha se brenda stafeve mjekësore në spitalet italiane nuk ka asnjë alarm.

“Virusi është shumë i ngjashëm me virus gripal normal. Simptomat janë si një grip normal. Është e vështirë. Publikimi i djeshëm i doktorit Wu tek Wuhan edhe ai thotë që simptomat janë të një gripi normal dhe inkubacioni mund të jetë deri në 21 ditë. Në pikën zero që në Itali akoma nuk dihet. Dihet pika një në Codogno, i cili është ende gjallë. Nuk është një person me sëmundje të tjera. Çdo person do ishte në rrezik edhe me një grip pak më agresiv. Brenda nuk ka asnjë alarm. Mjafton të studiohet mirë gjendja dhe të respektohen rreptësisht rregullat që duhet të respektojmë edhe me një grip normal”, tha Çuko.

Si qëndron e vërteta e rritjes së çmimit të maskave

Gjatë ditëve të fundit, në vend janë rritur ndjeshëm çmimet e maskave dhe produkteve disinfektante në farmaci, për shkak të kërkesave të shtuara të qytetarëve nga frika e koronavirusit.

Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma, e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka shpjeguar përse në disa farmaci pati rritje të çmimeve.

“Furnizuesi kryesor me maska, jo vetëm për Shqipërinë por për tërë botën është Kina. Dhe nuk është se u godit një vend tjetër dhe Kina shtoi prodhimin dhe vendet patën mundësi të kenë kohë për të tërhequr furnizimin. Por në momentin që u godit Kina e para, u bllokua çdo lloj furnizimi. Dhe gjatë interesimit dje dhe sot lidhur me historinë se si është rritur çmimi i maskave, nuk janë pyetur vetëm farmacistët, janë pyetur edhe ata që merren me importin dhe shpërndarjen. Ka pasur dhe që nuk kanë dashur të japin përgjigje si gjendet ky çmim. Ka pasur dhe kategori që kur kemi pyetur në sa duar ka kaluar, kur kemi pritur përgjigjen që ka kaluar në 2-3, u është dukur i vogël numri dhe kanë thënë edhe 5-7. Ka pasur raste dhe në 7 duar”, u shpreh Diana Toma. 

Zbulohet data kur parashikohet të dalë vaksina për koronavirusin

Koronavirusi ka infektuar më shumë se 80 mijë persona në të gjithë botën, teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencën globale. Specialistë dhe shkencëtarë në të gjithë botën janë duke u përpjekur për të krijuar një vaksinë për këtë virus të rrezikshëm.

Mjeku shqiptar në Francë, Erion Dobi, në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, tha se besohet që Franca të nxjerrë vaksinën për parandalimin e koronavirusit në verën e vitit 2021.

Mjeku Erion Dobi: Sapo patëm dhe një informacion gjysmë zyrtar që mendohet që do të përdoren informacionet e vaksinës së SARS të vitit 2002 e cila u zhduk në vitin 2004, për arsye sepse ka në një analizë të fundit ka mbi 75% ngjashmëri gjenomike ndërmjet dy viruseve. Kështu që sipas drejtorit që është dhe shefi i Task-Forcës i Institutit në Paris që drejton gjithë këtë operacion, mendohet që vaksina mund të jetë disponibël ndoshta në verën e 2021 me gati 5.8 milionë Euro të dhëna nga shteti francez dhe mbi 10.5 milionë Euro të dhëna nga Komisioni Europian i Shëndetësisë për prodhimin e vaksinës.

Blendi Fevziu: Verën e 2021?

Mjeku Erion Dobi: E 2021! Të jemi realistë, pavarësisht se ka laboratorë që mendon se mund ta krijojë për 6 muaj, por nga ana profesionale për të qenë korrekt, profesionistët më të mirë mendojnë që para 2021 është e vështirë të kemi një vaksinë optimale, mund të themi afërsisht optimale siç është vaksina e gripit për parandalimin e këtij lloji virusi.  

Mjeku shqiptar në Francë: 11 të shëruar prej koronavirusit

Nga 12 të infektuar me koronavirus në Francë, 11 prej tyre janë shëruar. Mjeku shqiptar atje, Erion Dobi, theksoi se që prej 27 Janarit, kur u shfaq edhe rasti i fundit, nuk ka pasur më raste të reja me virusin që mund të sjellë edhe vdekjen.

“Mos harroni që Franca ka pasur 12 të infektuar ku njëri person me sëmundje kardiovaskulare ka gjetur vdekjen dhe 11 të tjerë janë të gjithë të shëruar dhe prej i fundit i infektuar nga 27 Janari nuk ka pasur më raste të tilla”, tha ai.

Ndër të tjera, Dobi tha se Franca është e përgatitur për një epidemi të mundshme. Ai u shpreh se kostoja e shtetit francez për të mbajtur nën kontroll koronavirusin COVID-19 është 10 milionë euro.

“Franca, pa krijuar panik sepse paniku është i tepërt, por shqetësimi normal, është e përgatitur për një epidemi të mundshme të koronavirusit. Është e vështirë të prevalohet për arsyen e thjeshtë sepse do të varet nga izolimi i rasteve në fjalë. Janë krijuar struktura të veçanta. Mos të harrojmë që kostoja e shtetit francez është 10 milionë euro, është jashtëzakonisht e madhe, duke pasur parasysh bazën materiale dhe laboratorët. Është e njëjta situatë në Francë sikur do të kishte shpërthim të një centrali nuklear”, tha Dobi. /tvklan.al